Lajme

Osmani takohet me Blinkenin në Nju Jork, në fokus bashkërendimi me aleatët


Antony Blinken dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka njoftuar se të mërkurën ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit (DASH), Antony Blinken, në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që po mbahet këtë javë në Nju Jork.

“Diskutim i rëndësishëm me Sekretarin Blinken për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët. Lidhja me SHBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme”, ka shkruar shkurt presidentja Osmani mbi fotografinë e publikuar.

Në këtë drejtim, duhet të kujtojmë gjuhën aspak diplomatike të kreut të ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, ndaj sekretarit Blinken, të cilin e ka quajtur “naiv”, kurse deklaratat e tij për situatën në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnike “të gabuara”, “lënduese” dhe “të padrejta”, duke acaruar kështu marrëdhëniet me aleatët e Kosovës.

E presidentja Osmani është projektuar ndër vite si “pragu i fundit” i mbrojtjes së aleancës me partnerët perëndimorë, posaçërisht në një kohë kur marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-ve janë në gradën e fundit për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik të autoriteteve kosovare dhe veprimeve të njëanshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore