Kosova

Osmani: Borrelli i njëanshëm, kjo u pa haptas


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Josep Borell, shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, ishte i njëanshëm, pasi ky i fundit pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi se “kishim një propozim, presidenti Vuçiç e pranoi, kryeministri Kurti jo”, derisa shtoi se “do i informoj kolegët nga shtetet anëtare për sjelljen e palëve dhe mungesën e respektit.

“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj, sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, “do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”.

Osmani ka renditur 15 marrëveshje të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat sipas Osmanit nuk po i zbaton kjo e dyta.

Si të parën e ka renditur Osmani shkeljen e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013.

“Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiç, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit”, tha Osmani.

Po ashtu ajo në njërën nga pikat ka përmendur edhe pengesën e Serbisë për Kosovën në rrugën evropiane, por edhe “shkeljen e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve”.

“Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova”

Osmani ka theksuar se paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste.

“Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj”, shtoi ajo.

Josep Borell gjatë konferences për media

Çfarë ndodhë tash?

Sipas Borell, nëse ndodhë që të ketë eskalim të situatës, palët “kanë përgjegjësi të madhe për dështimin e bisedimeve sot”.

Meqë marrëveshje nuk u arrit, ai ka pasur një kërkesë për të dyja palët.

“Për të evituar eskalimet do të bëj një lutje. Do të doja të ketë një marrëveshje, por meqë nuk ka, më lejoni të bëj një thirrje: fillimisht kërkoi nga Kosova që menjëherë të suspendojë fazat e ardhshme për ri-regjistrim të veturave në veri të Kosovës. E përsëris. Pres nga Kosova që menjëherë t’i suspendojë fazat në lidhje me targat. Kurse pres nga Serbia që të mos lëshojë më targa me inicialet ‘KM’ dhe targa të tjera me akronime të qyteteve të Kosovës”.

Kjo, sipas Borell, “do të lejonte që të shohim për një marrëveshje më të gjerë në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme”.

Gjithsesi, ka përsëritur se situata aktuale “na lë në vakum të rrezikshëm në terren në një kohë edhe ashtu fragjile”.

“Po kemi EULEX-in atje dhe trupat e KFOR-it, por ata nuk mund të marrin rolin e policisë, nuk është në mandatin e tyre as në kapacitetin e tyre”.

“BE vazhdimisht ka thirrur për de-eskalim”, tha Borell, dhe “takimi sot ishte për përgjegjësinë e liderëve për ta de-esklauar situatën”.

“Ua kam bërë të qartë të dy palëve që s’mund të vazhdojë kështu. Ky rreth afatesh duhet të ndalet. Ata të dy janë liderë me mandat të fuqishëm dhe pres të shoh lidership”.

Kosova s’e pranoi propozimin e BE-së, Serbia po – çka tash?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore