Kosova

Osmani, BE-së: Urgjentisht largoni masat ndëshkuese ndaj Kosovës


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në organizimin që u bë të hënën nga Ambasada e Hungarisë në shënimin e fillimit të presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, ka kërkuar nga BE-ja që “urgjentisht” t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa ka theksuar se ato po dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Është ndërtimi i një Evrope të bazuar në parimin e barazisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, kështu që le të jenë këto parime udhëzuese me shpresën që Hungaria të udhëheqë BE-në, me hapa konkretë duke i ofruar Kosovës statusin e kandidatit të merituar prej kohësh. Si dhe duke hequr urgjentisht masat që po dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha Osmani.

Gjatë fjalimit të saj, ajo theksoi se Kosova është e gatshme që të punojë dhe ta mbështesë Hungarinë në adresimin e sfidave të përbashkëta, duke rekomanduar që të punohet për një të ardhme më të mirë.

“Vendosmëria jonë për t’iu bashkuar BE-së mbetet e palëkundur dhe ka ardhur koha për hapa konkretë përpara”, shtoi e para e shtetit.

Ndryshe, gjashtë muajt e ardhshëm, Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian do të udhëhiqet nga Hungaria e udhëhequr nga kryeministri nacionalist i krahut të djathtë, Viktor Orban.

Në këtë detyrë, Hungaria pason Belgjikën, e cila ka pasur kryesimin e BE-së në gjashtë muajt e parë të vitit.

Ndërkaq, nga 1 janari i viti të ardhshëm, ajo do t’ia kalojë këtë rol Polonisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore