Lajme

Orteku në Austri lë të vrarë tre skiatorë holandezë


Një ortek pranë vendpushimit austriak të skive Sölden ka lënë të vrarë tre skiatorë nga Holanda.

Një person tjetër raportohet se është shpëtuar dhe është dërguar në spital.

Viktimat ishin pjesë e një grupi turne skish prej 17 personash që ishte në ngjitje me katër udhërrëfyes austriakë.

Turneu i skive përfshin përdorimin e skive me lidhëse dhe lëkura të veçanta që bëjnë të mundur lëvizjen.

Grupi po shkonte drejt një strehe malore në rreth 2 mijë e 500 metra mbi nivelin e detit kur orteku, i cili ishte rreth 80 metra i gjerë, goditi pak para orës 11:00 të mëngjesit.

Ai përfshiu katër anëtarë të grupit, dy prej të cilëve ishin të vdekur kur shpëtimtarët i gjetën.

Dy të tjerët u gjetën të plagosur; njëri u dërgua në spital me helikopter dhe tjetri mbeti në mal.

Skiatori që mbeti në mal ndërroi jetë, ka thënë më vonë një zëdhënës i policisë.

Ministria e Jashtme holandeze ka bërë me dije se ambasada e vendit në Vjenë po hetonte saktësisht se çfarë ndodhi dhe ishte e gatshme të ofronte ndihmë nëse do të ishte e nevojshme.

Niveli i paralajmërimit për ortekët në provincën Tirol, ku ndodhet Sölden, ishte “i moderuar”, niveli i dytë në një shkallë pesë nivelesh.

Por ekspertët paralajmëruan për mundësinë e orteqeve të shkaktuara nga bora e dobët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore