Lajme

Orban, aleancë me nacionalistët austriakë dhe çekë


Kryeministri hungarez, Viktor Orban, njoftoi formimin e një grupi politik me forca nacionaliste në Austri dhe Republikën Çeke dhe ftoi të tjerët të bashkohen me atë që ai dëshiron të bëhet grupi më i madh i “krahut të djathtë” të Bashkimit Evropian.

Aleanca është kthesa e fundit në një periudhë të trazuar për të djathtën populiste të Evropës, pas përparimeve në zgjedhjet në mbarë kontinentin në fillim të këtij muaji.

Ata tani po vlerësojnë se si të shfrytëzojnë mbështetjen e tyre në rritje dhe të përmbysin dominimin e partive të moderuara, ndërkohë që kanë të bëjnë edhe me grupe më përçarëse në të djathtën ekstreme, siç është AfD e Gjermanisë.

Fidesz i Orbanit ka qenë pa aleatë të BE-së që kur u desh të largohej nga Partia Popullore Evropiane konservatore e moderuar në vitin 2021.

Partia e Lirisë e Austrisë ka qenë anëtare e grupit Identiteti dhe Demokracia e udhëhequr nga Rassemblement National e Francës, ndërsa ANO e ish-kryeministrit çek Andrej Babis po largohet nga liberalët për t’u bashkuar me grupimin e ri të Orbanit.

“Ne po krijojmë një formacion politik që do të ecë përpara dhe së shpejti do të bëhet grupi më i madh i krahut të djathtë në Evropë”, u tha Orban gazetarëve në Vjenë të dielën.

Partitë fillimisht do të duhet të mbajnë një minimum prej 23 vendesh për të krijuar zyrtarisht një grup të veçantë parlamentar brenda Parlamenti Evropian.

Ata gjithashtu do të duhet të përfshijnë deputetë nga të paktën shtatë shtete anëtare për t’u njohur.

Hungaria do të marrë presidencën e radhës të BE-së të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore