Lajme

Opozitari serb – Vuçiçit: “Qeveri jokompetente, të korruptuar, me diploma të blera”


Borko Stefanoviç, Nënkryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi në Serbi

Pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se në një telefonatë me presidentin e Izraelit, Isaac Hertzog, i kishte thënë këtij të fundit se “Njohja e Kosovës nga Izraeli kishte qenë zhgënjim për Serbinë dhe qytetarët e saj”, ka reaguar edhe nënkryetari i partisë opozitare “Partia për Liri dhe Drejtësi”, Borko Stefanoviç.

“Kjo është vetëm një tallje tjetër me qytetarët e Serbisë”, tha së pari opozitari Stefanoviç.

“Ky njeri që nënshkroi marrëveshjen e Washington-it, që do ta bënte Serbinë ta zhvendoste ambasadën në Jerusalem, dhe që i mundësoi Izraelit të njihte Kosovën, qenka i zhgënjyer me njohjen nga Izraeli”, vazhdoi Stefanoviç.

Stefanoviç vazhdoi kritikat ndaj Vuçiçit duke i thënë se “duhet të zhgënjehesh që Bellivuku ekziston ende, dhe me regjimin që e mundësoi atë”.

Ai ndër të tjera shtoi se kjo qeveri që qeverisë Serbinë është “jokompetente, e korruptuar, dhe me njerëz me diploma të blera”.

“Zhgënjimi duhet të jetë me hajdutërinë më të pistë, dhe regjimin autoritar, dhe më gjërat që po u bëjnë njerëzve. Këta gënjejnë edhe se Dragan Gjillash i ka vënë zjarr deponisë së mbeturinave në Vinça, dhe mendojnë se duke kontrolluar mediet do të vazdhojnë sundimit e tyre mafioz”.

Opozitari serb tha se zgjedhjet e ardhshme për Serbinë janë zgjedhje mes “mafisë dhe popullit”.

Më 1 shkurt, Izraeli e njohu shtetin e Kosovës si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit, e cila u nënshkrua pothuajse një vit më parë në Washington. Kosova dhe Serbia nënshkruan versione individuale të dokumentit me të njëjtën përmbajtje, përveç pikës për njohjen e Izraelit, e cila u përfshi në versionin e delegacionit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore