Agim Ademi, dështuesi i Futbollit të Kosovës përkujdeset që djali i tij ta këndojë këngën zyrtare për kuqezinjtë në “EURO2024”

Pasi që nënshtroi shumicën dërrmuese të delegatëve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi që siguroi moscenimin e pozitës së tij në krye të FFK-së, pasi që përjashtoi të gjithë zërat kritikë b...
Valon Rashiti
Loading Icons...
test12

Agim Ademi, dështuesi i Futbollit të Kosovës përkujdeset që djali i tij ta këndojë këngën zyrtare për kuqezinjtë në “EURO2024”

Valon Rashiti
Loading Icons...

Pasi që nënshtroi shumicën dërrmuese të delegatëve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi që siguroi moscenimin e pozitës së tij në krye të FFK-së, pasi që përjashtoi të gjithë zërat kritikë brenda FFK-së, pasi që bëri me dije se do të qëndrojë përjetësisht kryetar i FFK-së, pasi që për t’u rizgjedhur në krye të FFK-së edhe rrahu kundërshtarët e tij, pasi që arriti të lirohet në mënyrë të dyshimtë prej proceseve gjyqësore, pasi që zhduki lajmet për korrupsionin e tij, pasi që bëri shumicën e mediave në krah të tij, pasi që “arsyetoi” dështimin spektakolar të Përfaqësues së Kosovës në kualifikimet për “Euro2024”, pasi që përjashtoi ekipe nga liga për shkak se nuk i shkonin përshtati, pasi që nuk nxori asnjë zë për propozimin që Shqipëria e Serbia të organizojnë bashkë kampionatin evropian për U21-shat në vitin 2026, tani Agim Ademi po e ndihmon – përmes lidhjeve që ka – edhe djalin e tij këngëtar Trim Ademi, i njohur me emrin artistik “Capital T”, që të jetë personi që do ta këndojë këngën zyrtare për kombëtaren e Shqipërisë për “EURO2024”.

Biznesmeni që çuditërisht erdhi në krye të FFK-së – ndoshta si mundësi për të zgjeruar biznesin e tij të dyshimtë përmes kësaj pozite publike – e ka shndërruar futbollin e Kosovës në biznes të jashtëligjshëm ku pothuajse çdo ditë flitet se si kurdisen ndeshjet dhe askush nuk mbanë përgjegjësi.

Federata e Futbollit të Kosovës nën udhëheqjen e Agim Ademit ka arritur mjaft shpesh që të bëhet lajm i mediave ndërkombëtare, por jo siç çdo kush e pret për sukses, por për shkak se si kreu i saj akuzohet e arrestohet për keqpërdorime e për korrupsion.

Përveç vetes, nën drejtimin e tij mediat ndërkombëtare kanë shkruar edhe për sistemin kriminal që është aplikuar në Futbollin e Kosovës përmes kurdisjeve të ndeshjeve, e për favorizime të ekipeve që janë të afërta me të.

Por, përkundër këtyre, Ademi ka arritur që të “sundojë” i qetë. Këtë e ka bërë duke shuar zërat kritikë e duke iu shmangur – mjeshtërisht – përgjegjësisë.

Arrogant në sjellje, e tejet i dobët në udhëheqje, Agim Ademi ka arritur që ta bëjë Përfaqësuesen e Kosovës një histori dështimi, ku me një grup, që po ta kërkonim vetë nuk do ta zgjidhnim më të lehtë, me kombëtare si Andorra e Bjellorusia, në kualifikimet për “Euro2024”, nuk arriti që të sigurojë një vend për në Gjermani.

Përsëri askush nuk merr përgjegjësi. S’ka se si. Vetë kryetari i FFK-së është përgjegjësi kryesor për këtë dështim. Ai eksperimentoi me trajner të rangut të ulët siç ishte francezi Alain Giresse, apo pasuesi amator i tij Primozh Gliha, të cilët përveç që s’prodhuan asnjë rezultat pozitiv, ndikuan që të krijohet një klimë aspak e mirë brenda djelmoshave të Kosovës.

Por, siç edhe e kanë thënë zyrtarë brenda FFK-së – jo zyrtarisht – Ademi ka përzgjedhur këta trajnerë në mënyrë që ta ketë dorën e tij të fuqishme edhe në krijimin e formacioneve, të vendos se kush do luaj e kush jo.

Problemet dhe klimën jo të mirë brenda Përfaqësues së Kosovës e kishte shprehur edhe njëri nga futbollistët më premtues të Kosovës, Edon Zhegrova, mirëpo i njëjti ishte tërhequr – më shumë gjasë pas presionit të brendshëm – nga deklaratat e tij, duke bërë interpretime totalisht të paqëndrueshme me atë se çfarë e kishte thënë.

Përkundër të gjitha këtyre skandaleve dhe dështimeve që e kanë karakterizuar Agim Ademin si kryetar i FFK-së raportimet në media apo kritikat nga gazetarët sportive kanë qenë tejet të pakta, apo inekzistente. Ai ka arritur që pjesën më të madhe të mediave ta bëjë për veti që kështu “sundimi” i tij të vazhdojë i qetë.

Së fundmi, konkretisht në fillim të majit Shqipëria dhe Serbia dorëzuan ofertë të përbashkët për ta organizuar Evropianin për U21-shat në vitin 2026.

Këtë në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit e bëri presidenti i saj Aramando Duka, mik i Agim Ademit.

Duka anashkaloi Kosovën, zgjodhi Serbinë, por kjo nuk e shqetësoi fare mikun e tij nga Kosova Ademi. Ai nuk reagoi fare, përkundër se ky veprim i FSHF-së acaroi qytetarët e të dyja shteteve, si ata të Kosovës, njashtu ata të Shqipërisë, por jo Ademin.

Përveç se nuk reagoi, do të duheshin vetëm disa javë më pas që të kuptohej se djali i Ademit, këngëtari “CapitalT”, ishte përzgjedhur artisti që do ta këndonte këngën zyrtare për kuqezinjtë në kampionatin evropian 2024 në Gjermani.

Kjo është edhe ndoshta arsyeja që Agim Ademi të nuk e mori mundimin që të reagonte fare për aplikimin e Shqipërisë me Serbinë.

Ademi dhe Duka janë miq, kështu të paktën janë shfaqur në publik. Të dy i kanë dalur në mbrojtje njëri tjetrit kur kanë pasur probleme brenda institucioneve që udhëheqin.

Duka kishte mbrojtur Ademin kur para më shumë se një viti FFK-ja po tentonte që ta marrte licencën për shkak se Komisioni Vlerësues kishte gjetur se ajo nuk i plotëson shumë prej kushteve të kërkuara me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Sportit për licencimin dhe rilicencimin e federatave sportive, e kjo lidhej me kryetarin e saj Ademi i cili ishte pjesë e proceseve gjyqësore.

Por, edhe Ademi e kishte mbështetur Dukën, kur ai nuk preferohej nga Qeveria e Shqipërisë dhe eksponentë të pushtetit atje që të vazhdonte drejtimin e FSHF-së.

Ademi ngjason te Duka te qëllimi për të qëndruar përjetësisht në krye të Federatës së Futbollit, por për dallim nga Ademi që karakterizohet me dështime spektakolore, nën udhëheqjen e Dukës Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur që dy herë të kualifikohet në Kampionatin Evropian.

Ndryshe, Agim Ademi është zgjedhur President i Federatës së Futbollit të Kosovës për herë të parë në vitin 2018, duke e pasuar kështu legjendën Fadil Vokrri.

Ademi ishte rizgjedhur në këtë pozitë me një proces të dyshimtë në vitin 2022.