

Në krejt atë që ndodhi më 16 shtator, ndoshta ma zbuluese se vetë aktgjykimi ishte një send krejt tjetër. Ajo kënaqësia mezi e fshehun e disa njerëzve që, prej vitesh, kishin pas pritë një miratim institucional për bindjet e veta të vjetra. Natyrisht, jo medoemos mbi prova të reja por mbi bindje përsonale. Thuajse një vendim i shkallës së parë, ende jo i prerë, dhe i hapun ndaj ankimit, të mos ishte një moment juridik brenda një procedure që vazhdon, por të ishte fundi i historisë dhe, njëkohësisht, shpagimi i krejt hesapeve e inateve të vjetra politike. Ndërkaq, vetë statusi procedural është i qartë se aktgjykimi i 16 shtatorit nuk është përfundimtar.
Edhe ma interesante është turri i tyre me e disiplinu reagimin publik. Sa të gatshëm që janë që protesten kundër vendimit me e paraqitë si diçka të padobishme, impulsive, madje edhe të padenjë. Për më tepër, edhe si gjoja mungesë respekti ndaj drejtësisë. Krejt këtë duke e marrë drejtësinë demokratike si të mirëqenë, dhe pa nevojë për t’iu nënshtru çfarëdo shqyrtimi tjetër. Thuajse aktgjykimi është një send metafizik, i kulluem prej politikës, prej kontekstit dhe prej historisë së vet institucionale dhe prej mundësisë së gabimit.
Kjo është pjesa ma e çuditshme. Sepse edhe ata që kërkojnë me e paraqitë vendimin si të çlirum prej çdo ngarkese politike e dinë se vetë procesi ka lindë dhe ka jetu në një terren krejtësisht politik, historik e ndërkombëtar. Ta thuash këtë nuk e zhbën aktgjykimin. Por është infantilizëm me pretendu se drejtësia ndërkombëtare vepron krejt e lirë, si ndonjë mekanizëm pa ndotje politike që prodhon të vërtetë pa histori, pa interesa, pa epistemologji të vetën dhe pa arkitekturë pushteti.
Tek “Arkeologjia e Dijes”, Foucault do ta kishte veçu menjëherë këtë përzierje ndërmjet dijes dhe autoritetit. Sipas tij, institucioni nuk prodhon vetëm vendime, por prodhon edhe regjimin brenda të cilit një version i së vërtetës fiton legjitimitet, derisa versionet tjera shtyhen në periferi. Kjo nuk do të thotë se versioni institucional është patjetër i rremë, por do të thotë se autoriteti dhe e vërteta nuk janë e njëjta kategori.
Mu në këtë pikë disa njerëz nxituan me e ba kapërcimin ma të leverdishëm për ta, prej “gjykata ka gjetë përgjegjësi penale për vepra të caktueme” në “ne kemi pasë të drejtë krejt kohën sepse tashmë të dënuarit u vërtetua se kanë qenë komplotistë, sabotatorë, ndërmarrje kriminale qysh prej fillimit”.
Tashti, ky është ai momenti kur drejtësia pushon me qenë drejtësi dhe bëhet retrospektivë personale dhe hakmarrje e përmbushur.
Gjithmonë janë do fjalë që, kur përsëriten gjatë, e humbin rëndësinë e vet dhe mbesin vetëm si teneqe që përplaset në erë pa ndalë. “Komplotist”, “tradhtar”, “ndërmarrje kriminale”, “sabotim”. Këto fjalë janë thanë aq shpesh, me aq kollajllëk e me aq pak drojë ndaj faktit, sa sot përdoren gati si gjyle të lodhuna të një lufte që disa njerëz vazhdojnë me e zhvillu në mendjen e vet, gati tridhjetë vjet pasi kuvendet e LPK-së janë mbyllë, dyert e tyre janë ndryshkë e sherret e atëhershme janë ba kujtime të tharta.
Në këtë tregim Borgesian, disa prej njerëzve që gjendeshin në nyjën e UÇK-së na paskëshin qenë, në të vërtetë, komplotistët e vetë UÇK-së!
Do të thotë, jo rivalë politikë e as njerëz me ambicie, dhe jo pjesëtarë të një organizate të rrëmujshme, të fshehtë, të ndërtume nën trysni, ku grindja, dyshimi e lufta për autoritet ishin pothuajse pjesë e përditshmërisë.
Jo, jo! Por komplotistë.
Fjalë e madhe prandaj edhe prova duhet me qenë po aq e madhe.
Nuk mjafton që dikush të ketë dalë i humbun prej një mosmarrëveshjeje të LPK-së. Nuk mjafton një mbledhje e tensionuar, një hesap me Azem Sylën, një grindje me Xhavit Halitin, një përbuzje ndaj Hashim Thaçit, një bindje e bartun prej vitit 1998 deri sot si dogmë e fosilizueme. Historia nuk shkruhet me sendërgjime personale. Aq ma pak me hakmarrje të konservume.
Nietzsche kishte një super fjalë për këtë lloj metabolizmi moral. E quante ‘ressentiment’. Jo vetëm mllef, por mllef që nuk kënaqet me e mbajtë mend plagën, e për më tepër botës rreth saj duhet edhe me ia rindërtu kuptimin. Sipas kësaj, humbja nuk mbetet vetëm humbje por bëhet dëshmi e skalitur në gur se tjetri qind për qind ka qenë i lig. Rrjedhimisht mospajtimi bëhet tradhti. Kësisoj, një betejë organizative e humbun fillon, pas shumë vitesh, me marrë trajtën e një komploti historik.
Në këtë mënyrë, mbamendja bëhet aparat vetëarsyetimi.
Filozofi francez Paul Ricoeur e ka pa mirë këtë rrezik. Në librin e tij “Memory, History, Forgetting”, ai e trajton kujtesën si diçka të domosdoshme për raportin tonë me të kaluemen, por kurrsesi si një dëshmitare të pafajshme. Memoria zgjedh, harron, shtrembëron, ruen disa copa e i fundos disa të tjera. Herë herë, madje, i radhit ngjarjet sipas nevojës së së tashmes.
E puna e historisë është që ta detyrojë memorien me dalë prej vetes e me u ndeshë me dëshminë tjetër, me kronologjinë, me kundërthënien dhe mbi të gjitha, me mundësinë që vetë memoria të ketë gabu. Historia pastaj bëhet e vërtetë kur memoria e humb privilegjin me qenë gjykatëse e vetvetes.
Në fund të fundit, një dëshmitar i caktuar nuk është aktnoter i epokës.
Pikërisht në këtë kontekst, rasti i Behajdin Allaqit bëhet i rëndë, jo vetëm juridikisht, por epistemikisht.
Për vite është sendërtu e shpërnda një version sipas të cilit Allaqi kishte pasë një grindje serioze me Hashim Thaçin qysh në vitin 1993, një konflikt që më vonë u lexu si parathënie e fatit të tij. Ai version ka qarkullu në shkrime, statuse në facebook, media dhe koment/akuzë politike në Kuvendin e Kosovës derisa, me përsëritje, ka marrë një lloj sedimentimi publik sepse si gjithmonë, kur një rrëfim dëgjohet mjaftueshëm gjatë, njerëzit harrojnë me pyetë kush e ka prodhu për herë të parë.
Edhe trupi gjykues i dhomave të specializuara ka “konstatu” se në vitin 1993 Allaqi kishte pasë “mosmarrëveshje serioze” me Thaçin dhe, për ngjarjet e vitit 1998, gjoja se ka gjetë se Thaçi e Veseli e morën Allaqin të prangosur nga Drenoci dhe se ai më pas u vra. Ky është konstatim gjyqësor i shkallës së parë dhe duhet thanë si i tillë.
Por këtu punët nuk është se qartësohen. Në të kundërten, mjegulla veç sa trashet.
Vetë përmbledhja publike e aktgjykimit nuk i shpalos provat mbi të cilat mbështetet ky përfundim, ndërsa mbrojtja e Thaçit e ka kontestu pikërisht këtë mungesë transparence provuese.
Ndërkohë kanë dalë edhe rrëfime që e trazojnë këtë version. Ali Ahmeti ka kundërshtu pretendimin për një mosmarrëveshje të tillë në Kollarë. Azem Syla ka deklaru po ashtu se nuk ka pasë kundërshti me Allaqin. Kjo, natyrisht, nuk e rrëzon vetvetiu aktgjykimin. Por e cenon rehatinë epistemike me të cilën një rrëfim i vjetër është bartë prej mbamendjës në publik sikur të ishte send i kryem.
Edhe ma trazues është rrëfimi i publikuem së fundi nga Lirim Mehmetaj, ku një ish-epror i UÇK-së thotë se gjatë qëndrimit të Allaqit në shtabin e Drenocit, Thaçi dhe Veseli nuk kishin qenë aty, dhe se ai vetë ishte intervistu nga Prokuroria Speciale por më pas nuk ishte thirrë si dëshmitar. Edhe kjo është vetëm se një dëshmi e një personi dhe jo e vërtetë e zbritun prej qiellit. Por po qe se një dëshmi e tillë ekziston, ajo duhet vlerësu e jo përjashtu nga vetëdija publike vetëm pse e prish një rrëfim tashmë të ngurtësuem.
Sociologjikisht, një pretendim i caktuem mund të nisë si interpretim privat, mandej të riprodhohet nga të tjerët, të publikohet në media, të citohet në debate, të marrë formë autoritative dhe, në fund, njerëzit ta harrojnë krejt gjenealogjinë e tij. Berger e Luckmann këtë do ta shjegonin si formë reifikimi që do të thotë se produkti njerëzor fillon me u perceptu sikur ka ekzistu jashtë njerëzve, si fakt i natyrshëm, i gatshëm dhe i pakontestueshëm.
Është sikur tregimi ta harrojë autorin e vet, e mandej autori të kthehet e ta përdorë po atë rrëfim si dëshmi për vërtetësinë e tij.
Ky është qark epistemik por assesi provë.
Nëse këta njerëz ishin vërtet komplotistë kundër UÇK-së, atëherë duhet shpjegu një çudi jo të vogël.
Çfarë komploti ishte ai që e rriti objektin e vet?
Çfarë sabotimi ishte ai që një organizatë të vogël, të ndjekun, të përçamë e pa kurrfarë peshe ndërkombëtare, e ktheu në faktor pa të cilin Kosova nuk mund të shtrohej ma në asnjë tavolinë serioze?
Çfarë komplotistësh ishin ata që, sipas kësaj logjike, paskëshin punu kundër UÇK-së, duke e drejtu, përfaqësu, zgjeru e bartë atë deri në pragun ku lufta e Kosovës u ba çështje e Perëndimit?
Kjo, vetvetiu, nuk e shfajëson askënd për asnjë vepër konkrete per se. E as s’duhet. Historia nuk është kishë ku një meritë ta lan mëkatin tjetër. Njeriu mund të ketë ba mirë në një rrafsh e keq në tjetrin. Mund edhe të ketë qenë pjesë e një procesi çlirimtar dhe njëkohësisht të mbajë përgjegjësi për veprime të caktueme.
Por pikërisht për këtë arsye duhet me i ruejtë fjalët.
“Komplotist kundër UÇK-së” nuk është sinonim i “njeriut me të cilin jam grindë në LPK”.
As “ndërmarrje e përbashkët kriminale” nuk është thes ku mund të futet krejt historia që s’na ka pëlqy.
Është term juridik që ka objekt. Ka edhe elemente, por edhe kufij. Mund të përdoret për përgjegjësi të caktueme penale, ama nuk mund të shtrihet si katran mbi krejt një jetë politike, mbi krejt një organizatë dhe pastaj, me një mashë gjuhësore, të nxirret përfundimi se ata njerëz e paskëshin pasë për synim me e shkatërru vetë UÇK-në.
Kjo është kapërcim hermeneutik por jo edhe argument.
Këtu duhet thanë edhe diçka që thuhet rrallë: konfliktet e LPK-së nuk ishin seminare filozofie.
Aty kishte xhelozi, kryeneçësi, fraksione, njerëz që donin komandë e njerëz që mendonin se e kishin meritu ma shumë atë komandë. Pastaj njerëz që humbën terren e të tjerë që e fituan. Kishte mllef, dyshime, namin e vjetër të mërgatës politike e kujtesa të hidhuna që u ruajtën me fanatizëm.
E tëra kjo duhet me u studiu por assesi nuk duhet me u shndërru në ungjill.
Për arsye se prej çastit kur një humbje organizative fillon me u rrëfy si komplot historik, mbamendja e tillë bëhet vegël vetëarsyetimi. Në këtë kontekst, njeriut nuk i intereson ma se çka ka ndodhë por e synon një version të së kaluemes ku ai vetë del patjetër i drejtë.
Të tjerët, natyrisht dalin horra.
Një veprim i tillë është edhe atraktiv edhe i rehatshëm. Por historia se ka për obligim me na rehatu.
Rreziku fillon aty ku çdo mospajtim, çdo sherr i vjetër i LPK-së dhe çdo ngjarje e errët hidhen në të njëjtin kazan interpretimi, derisa prej asaj rrëmuje del një teori e vetme, e gatshme dhe e mbyllun se krejt projekti qenka udhëheqë prej njerëzve që, në të vërtetë, punonin kundër tij.
Ky është reduktim i historisë.
Derisa secili fakt detyrohet me i shërby të njëjtit përfundim, argumenti shndërrohet në dogmë. Së këndejmi edhe kundërthënia nuk përceptohet si problem që kërkon shpjegim por si pengesë që duhet me e anashkalu.
Kësisoj fjala nis me e hangër vetveten sepse, në fund, po mbetet një pamje paksa groteske:
një UÇK e sabotume prej shtabit të vet, e komplotume prej njerëzve që e përfaqësonin, e tradhtume prej atyne që e çonin përpara por disi ajo arrinë të rritet, të bëhet faktor ndërkombëtar, ta mbijeton luftën, të hyn në historinë politike të Kosovës dhe, prej rendit të pasluftës, ta bëjë Kosovën shteti i pavarun.
Çfarë komploti i çuditshëm, pra, apo jo?
Komplotistët paskëshin qenë aq të paaftë në komplot, sa në fund e prodhuan pikërisht të kundërtën e asaj që, sipas akuzuesve të tyre, kishin synu me shkatërru.
Ndoshta shpjegimi është shumë ma për toke se krejt metafizika e komplotit që i është veshë asaj kohe.
Kishte rivalitet, siç kishte edhe ambicie, mosmarrëveshje e padrejtësi. Por prej këtyne deri te teza se njerëzit që e bartën një pjesë vendimtare të UÇK-së kanë qenë, në thelb, “komplotistët” e saj, shtrihet një humnerë arsyetimi që nuk kapërcehet me kujtime të fermentueme, me mllef të stazhionum apo me beteja organizative që kanë mbetë të papërfundueme qysh prej vitit 1998.
Në fund, krejt kjo çështje zhvishet prej patosit dhe mbetet te një fjalë shumë ma e ftohtë se “komploti”, por shumë ma e ndershme: “prova”.
Jo sediment i mbamendjes. Jo përsëritje që, me kalimin e viteve, bëhet kinse e vërtetë. Jo ‘ressentimenti’ i vjetër që bëhet historiografi dhe kërkon prej së kaluemes me ia vërtetu plagët e veta.
Provë për shkak se mbamendja mund të jetë me të vërtetë e sinqertë por prapëseprapë e gabueshme. Mund të jetë e pjesshme. Mund edhe të bartë dhimbje reale por megjithatë të prodhojë përfundime të rreme.
Në anën tjetër, historia kërkon një disiplinë shumë ma të rreptë.
Tjetër send është ajo që mbajmë mend e tjetër send ajo që mundemi me dëshmu.