Kur përgjigjet janë të lira, pyetjet kanë rëndësi: Çfarë mund t’i mësojë gazetaria arsimit në epokën e inteligjencës artificiale

Për shumë vite kam studiuar se si gazetarët marrin vendime për të vërtetën në kohë konflikti. Nga Ballkani Perëndimor te Lindja e Mesme dhe Afrika Lindore, kam shqyrtuar se si vendosin ata çfarë është e vërtetë, çfarë ka rëndësi dhe çfarë duhet të dijë publiku.
Abit Hoxha
Loading Icons...
test12

Kur përgjigjet janë të lira, pyetjet kanë rëndësi: Çfarë mund t’i mësojë gazetaria arsimit në epokën e inteligjencës artificiale

Abit Hoxha
Loading Icons...

Për shumë vite kam studiuar se si gazetarët marrin vendime për të vërtetën në kohë konflikti. Nga Ballkani Perëndimor te Lindja e Mesme dhe Afrika Lindore, kam shqyrtuar se si vendosin ata çfarë është e vërtetë, çfarë ka rëndësi dhe çfarë duhet të dijë publiku.

Një mësim është përsëritur me një qëndrueshmëri të habitshme: momenti më i rëndësishëm në gazetari nuk është kur shkruhet lajmi. Është momenti para tij, kur dikush ndalet dhe pyet: A është e vërtetë kjo? Kush e thotë? Kush përfiton nëse e besoj?Besoj se ky moment po bëhet po aq i rëndësishëm edhe në arsim. Inteligjenca artificiale e bën atë më të domosdoshëm se kurrë.

Për shekuj me radhë, arsimi funksionoi në kushtet e mungesës së informacionit. Dija ishte e përqendruar në libra, në biblioteka dhe në mendjet e mësuesve. Shkollat ekzistonin për ta përcjellë këtë dije, ndërsa mësuesit kishin një autoritet të konsiderueshëm mbi atë që mësonin nxënësit. Ajo botë po zhduket.Sot, një dymbëdhjetëvjeçar në Prishtinë dhe një tjetër në Oslo mund t’i bëjnë të njëjtit sistem të inteligjencës artificiale pothuajse çdo pyetje dhe të marrin, brenda pak sekondash, një përgjigje të sigurt e të mirëartikuluar. Përgjigjet mund të ndryshojnë, por ato burojnë nga infrastruktura teknologjike gjithnjë e më të përqendruara dhe nga burime informacioni që mbivendosen me njëra-tjetrën.

Ky është globalizimi në formën e tij më intime. Ai nuk po ndodh përmes marrëveshjeve tregtare apo institucioneve ndërkombëtare. Po ndodh në xhepat e fëmijëve tanë.

Dhe kjo shtron një sfidë themelore. Rrezikojmë t’i zëvendësojmë traditat e larmishme të dijes, të interpretimit dhe të mospajtimit me një prodhim gjithnjë e më të standardizuar përgjigjesh. Më keq akoma, rrezikojmë ta zhvendosim autoritetin intelektual nga mësuesit, universitetet dhe institucionet demokratike te një grusht kompanish teknologjike, sistemet e të cilave mbeten të vështira për t’u shqyrtuar.

Gazetaria i ofron arsimit një mësim të rëndësishëm në këtë pikë. Gazetaria e mirë nuk nis me përgjigje. Nis me pyetje: pse, çfarë, kush, ku, kur dhe si. Këto nuk janë thjesht rutina profesionale. Janë metoda të rezistencës intelektuale kundër manipulimit, propagandës dhe shpjegimeve të volitshme.Shoh tri ndryshime themelore që shkollat dhe universitetet duhet t’i bëjnë.

Së pari, duhet të kalojmë nga gjenerimi te marrja në pyetje. Në mësimdhënien time, i nxis studentët e masterit të ndjekin një parim të thjeshtë: merr në pyetje, mos gjenero. Ata mund ta përdorin IA-në për t’i vënë në provë pyetjet e tyre kërkimore, për të nxjerrë në pah dobësitë e argumenteve të tyre dhe për të simuluar një kundërshtar intelektual. Por përgjegjësia për arsyetimin duhet të mbetet e tyre.Një makinë që prodhon një ese të përsosur nuk ka mësuar asgjë. As studenti që e dorëzon pa menduar nuk ka mësuar gjë. Kur IA-ja shkruan detyrën dhe një IA tjetër e vlerëson, në fakt i kemi hequr nga procesi arsimor si studentët, ashtu edhe mësuesit. Mund të përfundojmë duke diplomuar studentë me tekste të shkëlqyera, por me më pak aftësi kritike.

Kjo kërkon që ta rimendojmë vlerësimin. Nëse një makinë mund t’i kalojë me sukses provimet tona, ndoshta po matim aftësi të gabuara. Duhet të vlerësojmë se si nxënësit dhe studentët formulojnë pyetje, ndërtojnë argumente, vënë në pikëpyetje provat dhe mbrojnë përfundimet e tyre, në vend që të shpërblejmë thjesht produkte përfundimtare të lëmuara.

Së dyti, verifikimi duhet të bëhet aftësi qytetare, jo thjesht gazetareske. Në Ballkan, i njohim mirë pasojat kur informacioni shndërrohet në armë. Thashethemet, propaganda dhe narrativat e sajuara kanë kontribuar në ndarjet mes komuniteteve, ndonjëherë me rrjedhoja shkatërrimtare.

Sot, prodhimi i imazheve të rreme, por bindëse, i zërave të fabrikuar dhe i lajmeve çorientuese është bërë më i lehtë dhe më i lirë. Kapaciteti teknologjik për të mashtruar po rritet më shpejt sesa aftësia jonë kolektive për ta dalluar mashtrimin.

Çdo nxënës e student duhet të mësojë të bëjë katër pyetje themelore: Kush e ka prodhuar këtë informacion? A mund ta konfirmojë një tjetër burim i pavarur? Çfarë reagimi emocional synon të shkaktojë? Dhe pse po e shoh pikërisht tani?

Këto pyetje u përkasin klasave të mësimit po aq sa redaksive. Verifikimi nuk është më thjesht edukim mediatik. Është pjesë e qytetarisë demokratike.Së treti, arsimi duhet të bëhet më njerëzor. Inteligjenca artificiale është jashtëzakonisht efikase në organizimin e informacionit, në ndërtimin e argumenteve dhe në prodhimin e shpjegimeve koherente. Në terma klasikë, ajo shkëlqen në logos, gjuhën e logjikës dhe të arsyetimit.

Por arsimi nuk është thjesht transmetim informacioni. Ai përfshin edhe patosin: emocionet, marrëdhëniet, empatinë dhe ndjenjën e përkatësisë. Mendoni për sfidat me të cilat përballen të rinjtë: vetminë, bullizmin, bullizmin kibernetik, presionin shoqëror dhe rënien e aktivitetit fizik. Këto probleme nuk zgjidhen duke prodhuar përgjigje më të mira.

Mësuesit, familjet, psikologët dhe komunitetet duhet ta pranojnë se arsimi ka të bëjë edhe me krijimin e besimit, të përkatësisë dhe të sigurisë emocionale. Një fëmijë që ndihet i kuptuar, që i përket një komuniteti dhe që ka kë t’i drejtohet, është më i përgatitur të përballet me manipulimin, si në internet, ashtu edhe jashtë tij.

Mësuesi më i çmuar në epokën e inteligjencës artificiale mund të mos jetë më ai që di më shumë. Mund të jetë ai që e kupton më mirë nxënësin. Inteligjenca artificiale do të vazhdojë ta transformojë arsimin. T’i kundërvihesh ekzistencës së saj është e kotë. Po aq marrëzi do të ishte t’ia dorëzonim asaj përgjegjësitë tona intelektuale.

Detyra jonë nuk është të konkurrojmë me makina që mund t’i përgjigjen pothuajse çdo gjëje. Është të edukojmë njerëz që dinë t’i vënë në pikëpyetje ato përgjigje, t’ua njohin kufizimet dhe të ushtrojnë gjykim të pavarur.

Gazetaria është mbështetur gjithmonë te ai moment i parehatshëm dyshimi para publikimit. Arsimi duhet të mësojë ta kultivojë të njëjtin instinkt.Kur përgjigjet janë të lira, pyetjet janë ato që kanë rëndësi.

Përgatitur fillimisht për:Hoxha, A. (2026, 20 nëntor). Teaching to question: What journalism can teach education in the age of AI [Fjalim kryesor]. Konferenca e 5-të Ndërkombëtare “Globalizimi dhe integrimi në arsimin bashkëkohor”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Shqipëri.