Një brez i artë po i rrëshqet nga duart Shqipërisë, çfarë po ndodh me talentet e diasporës?

Një numër futbollistësh të talentuar me origjinë shqiptare kanë zgjedhur përfaqësuese të tjera, ndërsa disa të tjerë qëndrojnë ende larg planeve të kuqezinjve
Romario Ismailaj
Loading Icons...
test12

Një brez i artë po i rrëshqet nga duart Shqipërisë, çfarë po ndodh me talentet e diasporës?

Romario Ismailaj
Loading Icons...

Ka talente që i sheh të rriten, i ndjek hap pas hapi dhe fillon t’i imagjinosh me fanellën e kombëtares. Për një tifoz shqiptar, nuk ka shumë rëndësi nëse ata kanë lindur në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Berlin, Romë, Zyrih apo Nju Jork. Mjafton që në gjakun e tyre të ketë një lidhje me Shqipërinë dhe menjëherë lind dëshira për t’i parë një ditë mes kuqezinjve.

Por kjo dëshirë nuk po përkthehet gjithmonë në realitet. Kombëtarja shqiptare duket se po humbet gjithnjë e më shumë terren në garën për të siguruar shërbimet e talenteve të diasporës. Disa prej emrave më premtues kanë zgjedhur tashmë rrugë të tjera, ndërsa të tjerë janë ende në një udhëkryq, ku Shqipëria nuk është e vetmja alternativë.

Adri Mehmeti, Brajan Gruda, Enis Rexhepi dhe Arda Kurtulan janë katër histori të ndryshme, por që bashkohen në një pikë: kuqezinjtë nuk kanë arritur t’i bindin të gjithë këta futbollistë për të ardhmen e tyre ndërkombëtare.

Mehmeti, i cili më parë kishte qenë pjesë e grupmoshave të Shqipërisë, vendosi të përfaqësojë kombëtaren A të Shteteve të Bashkuara. Mesfushori 17-vjeçar i New York Red Bulls konsiderohet një prej talenteve më premtuese të futbollit amerikan dhe është krahasuar me Sergio Busquets për karakteristikat e tij në lojë. Një talent që Shqipëria e kishte parë nga afër, por që tashmë po ndërton një tjetër rrugëtim ndërkombëtar.

Një tjetër rast është Brajan Gruda. Sulmuesi me origjinë shqiptare nuk arriti të afrohej kurrë me përfaqësuesen kuqezi, pasi kishte zgjedhur të ndiqte rrugëtimin me Gjermaninë. Ai ka kaluar nëpër grupmoshat e kombëtares gjermane dhe tashmë po sheh të konkretizohet ëndrra për të luajtur me ekipin A, pas rikthimit në planet e përfaqësueses.

Ndryshe është historia e Enis Rexhepit. Sulmuesi 18-vjeçar ishte pjesë e Shqipërisë U-17 dhe U-19, ndërsa po spikat me paraqitjet dhe golat në akademinë e Stuttgart-it. Megjithatë, pa arritur të bëjë hapin drejt kombëtares A, ai vendosi të përfaqësojë Kosovën.

Rexhepi është përfshirë në planet e Franco Foda-s për ndeshjet e nëntorit në Nations League. Një tjetër futbollist me potencial, që mund të ishte pjesë e së ardhmes së Shqipërisë, por që tashmë ka zgjedhur një tjetër fanellë “kuqezi”, atë të Kosovës.

Edhe historia e Arda Kurtulanit është e veçantë. Mbrojtësi i djathtë, i lindur në Turqi me origjinë shqiptare, fillimisht përfaqësoi grupmoshat e Maqedonisë së Veriut dhe më pas Shqipërinë U-21.

Për një periudhë, ai nuk iu përgjigj pozitivisht ftesave të kuqezinjve, me argumentin se aktivizimi me Shqipërinë do t’i kushtonte statusin e lojtarit vendas te Goztepe, duke e bërë ekstrakomunitar në kampionatin turk.

Megjithatë, së fundmi, nga klubi turk është raportuar se Kurtulan ka vendosur të përfaqësojë Turqinë. Për këtë duhet të përfundojnë më parë procedurat dokumentare, pasi aktivizimi i mëparshëm me dy përfaqësuese të tjera krijon pengesa për ndryshimin e federatës.

Gjithsesi, derisa të marrë një ftesë dhe të luajë me kombëtaren A të Turqisë, Kurtulan mbetet ende një futbollist që mund të përfaqësojë Shqipërinë, në përputhje me rregullat e FIFA-s.

Por problemi nuk qëndron vetëm te ata që kanë zgjedhur tashmë një tjetër përfaqësuese. Shqetësimi është edhe për mënyrën se si Shqipëria po i trajton talentet që ka ende në dispozicion.

Lista e fundit e Rolando Maran-it për ndeshjet e Nations League nuk solli ndonjë risi të madhe. Ftesa e vetme e re ishte ajo për Ysni Ismailin, mbrojtësin e djathtë të Dinamo City-t, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij, por përfiton edhe nga mungesa e alternativave në këtë pozicion.

Krahu i djathtë ishte kthyer prej kohësh në një pikë diskutimi dhe presioni nga opinioni publik e mediatik, që kërkonte një zgjidhje të re. Elseid Hysaj mbetet ende pa ekip, ndërsa Ivan Balliu është tërhequr nga kuqezinjtë. Ismaili u shfaq si alternativa e radhës, por kjo zgjedhje erdhi më shumë si një nevojë e momentit sesa si pjesë e një rinovimi të mirëfilltë të grupit.

Në fakt, pikërisht këtu nis një tjetër problem. Mungesa e promovimit të talenteve në ekipin e parë, edhe kur bëhet fjalë për ndeshje që në letër duken më të lehta, mund të krijojë pasiguri te futbollistët e rinj. Për ta, një ftesë në grupmosha nuk është gjithmonë e mjaftueshme. Ata duan të shohin se ekziston një rrugë konkrete drejt ekipit A, se puna e tyre ndiqet dhe se dera e kombëtares nuk mbetet vetëm një premtim për të ardhmen.

Në një futboll ku talentet kanë shpesh mundësinë të zgjedhin mes dy apo tri shtetësive sportive, pritja mund të kushtojë shtrenjtë.

Raffaele Huli dhe Oliver Blini mund të rikthehen te Italia, Leon Sylejmani mund të zgjedhë Zvicrën, Afrim Gashi mund të përfundojë te Gjermania apo Kosova, ndërsa Armend Muslikës mund t’i vijë një ftesë nga Anglia. Edhe Arman Durmisi mund të ketë alternativa mes Italisë dhe Sllovenisë.

Janë emra që për momentin përfaqësojnë mundësi, por edhe një paralajmërim për atë që mund të ndodhë nëse Shqipëria nuk arrin t’u japë një perspektivë të qartë. Sepse një talent nuk pret pafundësisht dhe, nëse një tjetër kombëtare i ofron një projekt më bindës, zgjedhja mund të bëhet shumë më e lehtë.

Për të mos shkuar larg, mjafton të shohim Kosovën. “Dardanët” kanë arritur të bindin një numër të konsiderueshëm talentesh që të veshin fanellën e tyre. Disa prej tyre, në rrethanat aktuale, do të ishin objektiva shumë të vështirë për Shqipërinë.

Kosova ka afruar Rexhepin e sipërpërmendur, supertalentin Erblin Osmani të Bayern Munich-ut, si dhe treshen tashmë të konsoliduar në ekipin A: Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari. Dhe lista nuk përfundon këtu.

Vetëm në grumbullimin e fundit, “Dardanët” patën tri risi. Në fakt, thuajse çdo listë e tyre sjell emra të rinj, duke dëshmuar se puna për identifikimin dhe afrimin e futbollistëve nuk kufizohet vetëm te një brez apo te një grup i caktuar lojtarësh. Ndryshe nga Shqipëria, ku afrimet e reja në disa raste duken të diktuara më shumë nga nevoja dhe mungesa e alternativave.

Sigurisht, çdo futbollist ka të drejtën të zgjedhë vendin që dëshiron të përfaqësojë dhe jo çdo talent i diasporës mund të bëhet pjesë e Shqipërisë. Por kuqezinjtë nuk mund të rrezikojnë të humbasin edhe ata që kanë një lidhje të fortë me vendin dhe që mund të kontribuojnë për shumë vite.

Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të luajë edhe ajo pak pisët. Jo duke shkelur rregullat, por duke i shfrytëzuar ato me zgjuarsi. Nëse një talent bindet për të veshur fanellën kuqezi, pse të mos marrë edhe mundësinë për të debutuar në ekipin A? Edhe një aktivizim prej pak minutash në një ndeshje zyrtare mund të ketë peshë të madhe për të ardhmen e tij ndërkombëtare.

Në fund, nuk bëhet fjalë për t’u hequr të rinjve lirinë e zgjedhjes, por për të mos i lënë të ardhmen e tyre në duart e rastësisë. Shqipëria duhet të jetë më e shpejtë, më këmbëngulëse dhe më bindëse. Sepse talentet nuk mjafton vetëm t’i zbulosh. Duhet edhe t’i bësh të besojnë se vendi i tyre është aty.

Dhe ndoshta, në këtë garë, një minutë në fushë mund të vlejë shumë më tepër se 90 minuta pritje.