Ligji është vetëm hapi i parë

Pra, Ligji (nëse aprovohet në lexim të dytë) është vetëm hapi i parë, që modeomos duhet të përcillet me hapa diplomatik, bashkëpunim ndër-partiak, rritje të buxhetit për të dënuarit dhe koordinim ndër-institucional dhe ndërkombëtar.
Petrit Selimi
Loading Icons...
test12

Ligji është vetëm hapi i parë

Petrit Selimi
Loading Icons...

Kuvendi sot e miratuar Ligjin për Specialen në lexim të pare. Mbetet të shihet se a do të kalon edhe në lexim të dytë, që ligji të konsiderohet si fakt i ri ligjor që ndryshon disa elemente të randësishme të veprimit të Dhomave të Posaçme.

Fillimisht të themi se çka nuk bën ligji i ri: Nuk e ndryshon apo anulon verdiktin fillestar të fajësisë se shpallur nga gjyqtari Smith dhe dënimin prej 81 vitesh për katër bashkëthemeluesit e UÇK-së. As nuk mohon viktimat dhe statusin e tyre në çfarëdo procedure gjyqësore. Por Ligji megjithatë sjellë ca risi që janë diskutuar edhe më herët nga profesionistët.

Ndryshimet

  1. Fillimisht, Ligji i ri kërkon zbatim të menjëhershëm për kufirin 15-vjeçar të dënimit. Kjo nuk është temë e re. Tash e disa vite, avokatët mbrojtës së të denuarve nga Gjykata Speciale kanë insistuar ne principin e lex severis, të bazuar edhe në principet thelbësore të konfirmuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut se “Nuk mund të shqiptohet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në kohën kur është kryer vepra penale.” Deri sa ka paralelizma të ligjeve ekzistuere më 1999, Ligji më I favorshëm jugosllav valid në kohën e krimeve të pretenduara ka dhënë denim maksimal prej 15 vjetësh, dhe një përdorim i principit lex severior dhe lex mitior, që një ligj i mëvonshëm nuk mundet m’u përdor për denime më të rënda se ato që parashiheshin në kohën kur krimi është kryer, qartësisht i kufizon denimet e Speciales në 15 vjet burg – përkundër kornizës së mëvonshme të Speciales që parasheh denime më të gjata – deri të perjetshme – për krimet që mbulon mandati i saj fillestar.
  2. Një element tjetër është kërkesa obligative e Ligjit të ri, që vuajtja e denimit pas verdiktit final të ekzekutohet në Kosovë. Për burgimin në Kosovë ka një nuance ekzistuese: korniza e mëhershme lejon paraburgimin dhe vuajtjen e dënimit jashtë vendit; nuk thotë thjesht se çdo denim detyrimisht duhet të vuhet jashtë Kosovës. Duke marrë parasysh që asnjë shtet deri më tani nuk është vullnetarizuar t’i pranon të denuarit si Sali Mustafa Cali, të cilët kanë mbetur rrjedhimisht endë në Hagë. Nuk do të duhej të ishte problem për askend që dënimi të kryhet në Kosovë, pas procedurave të apelit në të gjitha instancat.
  3. Por çështja kryesore do të del me kërkesen e Ligjit që, pas apelit, mjetet e mëtejshme juridike kalojnë në Supremen në Prishtinë. Deputeti Përparim Gruda, një nga ekspertët kryesorë kushtetues nga PDK ka deklaruar se vetë Kushtetuta nën nenin 24 “e lidh ushtrimin e këtij juridiksioni me ligjin e veçantë.” Që të jemi të sakte, amendamenti nr. 24 i Kushtetutës përcakton: “Një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre (3) gjyqtarë ndërkombëtarë të emëruar shtesë krahas gjyqtarëve të referuar sipas Nenit 114 (1), do të vendosë ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese sipas Nenit 113 të Kushtetutës në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë”.

Pra insistimi i Kuvendit është se ky Ligj i veçantë tashmë është fakt i ri i aprovuar nga Kuvendi i një Republike sovrane dhe se Specialja nuk ka ingerenca mbi ato të përcaktuara me kornizë të re ligjore. Vështirë se kjo pikë do të kalon e pasfiduar nga Specialja e cila ndoshta do të thirret në Marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës që mbisundon ligjet e Kosovës. Deputeti Gruda që prezantoi sot Ligjin në Kuvend pohoi se: “Ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë përmes amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, marrëveshjes që kemi me Bashkimin Evropian, letërkëmbimit të ratifikuar në Kuvend dhe as marrëveshjes që kemi me Holandën”.

  1. Reagimet

Deri sa Ambasadat perëndimore që kanë kushtëzuar (që mos të themi “shantazhuar”) Kosovën me themelimin e Dhomave të Posaçme, ende nuk kanë dhenë opinion rreth Ligjit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë publikisht se: “Ndryshimi i përket Kosovës të vendosë. Me rëndësi të garantohet pavarësia e gjyqësorit dhe, në këtë kuadër të pavarësisë, i përket Kosovës të vendosë se çfarë të bëjë ose jo.”

Reagimi kryesor duhet pritur nga vetë Dhomat e Posaçme, të cilat sipas eksperiencës së mëparshme, kanë përdorur Dhomën e Posaçme të Gjykatës Kushtetuese për të penguar çfarëdo ngushtimi apo ndryshimi të mandatit fillestar dhe kornizës ligjorë të cilën e konsideron si ingerencë për të cilën negocion jo me Kuvendin (institucionin që i dha jetë) por drejtëpërdrejtë me Komisionin Europian. Duket e pabesueshme që Ligji të kalon dhe të pranohet si realitet i ri i mirëqenë nga Specialja. Kjo gjykatë mundet të vendos të heshtë deri pas apelit, kur konsekuencat e Ligjit të jenë të rëndësishme, dhe vetëm pas Apelit t’I kundërshtojë dispozitat e Ligjit. Mundet edhe të reagon menjëherë sipas hapavë të parashkruar në procedurat interne.

Por skenari më i mundshëm është që Prishtina dhe Specialja të marrin qëndrime të kundërta mbi kompetencën dhe të krijohet konflikt institucional që teksti i neneve relevante kushtetuese nuk e zgjidh vetvetiu.

Atëherë, do të jetë shumë me rëndësi që Kosova të ketë një marrëveshje me BE-në për mënyrën e përfundimit, transferimit dhe mbikëqyrjes së procedurave, e zbatuar përmes ndryshimeve juridikisht të vlefshme, do të kishte shumë më tepër peshë praktike. Kjo marrëveshje duhet të arrihet urgjentisht në javët dhe muajt në vijim. Idealja do të ishte që Kuvendi të krijon Komision ad-hoc për zbatimin e këtij Ligji, ku Qeveria do të raportonte për hapat që po i ndërmerr diplomatikisht, politikisht dhe juridikisht që vendimi i një Kuvendi sovran të jetë I pranueshëm nga Komisioni Europian dhe Specialja.

Qeveria poashtu do të duhet të ndan buxhet shtesë për pasurimin e burimeve njerëzore te4 ekipeve mbrojtëse me specialist të apelit por edhe me lobim sidomos në SHBA qe do te sqaronte qëndrimin e Kosovës dhe do ta thellonte mirëkuptimin e kërkesave të Kosovës në Uashington dhe Bruksel.

Do të duhej të kishte vullnet pozitë-opozitë edhe për hapat që Kosova duhet t’I ndërmerrë për aderim të Kosovës në Keshillin e Europës në seancën e rradhës në maj 2027. Nëse kushtet e Francës dhe Gjermanisë janë të njejta, kjo kërkon zbatimin e kërkeses nga Marrëveshja e Ohrit e aprovuar nga vetë Kurti që kërkon dërgimin e statutit të Asociacionit për vlerësim në Kushtetuese, hap që gjer me tani është rrefuzuar nga Qeveria e Kosovës. Ka gjasa që ky kusht nga Franca-Gjermania të zbutet nëse ka dialog të mirëfilltë, por ka gjasa edhe të vështirsohet nëse partia e Le Pen fiton zgjedhjet presidenciale në prill 2027. Faktori kohë këtu ështe esencial, gjë që len pak shpresë për veprim nga Kosova, qeveria e të cilës nuk është fort e njohur për hapa të ndërmarrë me kohe dhe koordinim të thellë diplomatik me aleatë.

Pra, Ligji (nëse aprovohet në lexim të dytë) është vetëm hapi i parë, që modeomos duhet të përcillet me hapa diplomatik, bashkëpunim ndër-partiak, rritje të buxhetit për të dënuarit dhe koordinim ndër-institucional dhe ndërkombëtar.

Këso lloj koordinimi Kosova ka përjetuar vetëm në procesin e Vjenës të Presidentit Marti Ahtisaari. Kurti asokohe ishte kundërshtar i flaktë dhe i dhunshëm I çfarëdo bashkëpunimi për realizimin e Ahtisaarit, dhe ai dhe vetëm ai është personi që ka ingerencat dhe potencën momentale në Kuvend dhe Qeveri që t’i prijë këtij bashkëpunimi.

Nuk kam shpresë që ujku i vjetër e harron zakonin e vjetër, përkunder qimeve të reja me të cilat është zbukuruar këto vitet e fundit të jetesës në Kullën e fildishtë të “Republikës së tretë”.

Qofsha i gabuar.