Lajme

OKB: Temperaturat globale po rriten rrezikshëm


“Përkundër të gjitha premtimeve për të ndërmarrë veprime, bota po ngrohet ende në nivele të rrezikshme”

Është ky vlerësimi i fundit i hapur, i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara(OKB), të cilët studiuan planet klimatike të më shumë se 100 vendeve dhe ranë dakord se njerëzimi po merr drejtim të gabuar, përsa i përket rritjes së temperaturave.

Teksa shkencëtarët konfirmuan kohët e fundit, se për të shmangur motin ekstrem të nxehtë, emetimet globale të karbonit duhen ulur me 45% deri në vitin 2030, analiza e re tregoi se ato janë rritur kohët e fundit me 16%.

Studiuesit u shprehën se,”kjo mund të çojë përfundimisht në një rritje të temperaturës prej 2.7 gradё Celsius, një normë shumë më lart kufijve të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare”.

“Rritja prej 16% është shumë shqetësuese. Ajo paralajmëron sfidën e ashpër me të cilën duhet të përballet konferenca e klimës COP26”, tha Patricia Espinosa, negociatorja kryesore e OKB-së për klimën.

Kjo e fundit është planifikuar të mbahet pas gjashtë javësh në Glasgow, të Skocisë.

Vetëm 113 vende kanë dhënë premtime

Sipas rregullave të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës, vendet kanë për qëllim të përditësojnë planet e tyre për reduktimin e karbonit çdo pesë vjet.

Megjithatë, OKB thotë se nga 191 vende që marrin pjesë në marrëveshje, vetëm 113 kanë dhënë deri më tani premtime për t’u përmirësuar.

Një studim nga Climate Action Tracker zbuloi se, nga grupi G20 i vendeve kryesore industriale, vetëm një pjesë e vogël përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të kanë forcuar objektivat e tyre për të ulur emetimet.

Në një analizë tjetër, Instituti i Burimeve Botërore dhe Analiza e Klimës nxorri në pah se Kina, India, Arabia Saudite dhe Turqia, së bashku janë përgjegjëse për 33% të gazeve serë dhe ende nuk kanë paraqitur plane të përditësuara.

Thuhet se Australia dhe Indonezia kanë të njëjtat objektiva për reduktimin e karbonit me ato të vitit 2015, ndërsa qëllimi i Marrëveshjes së Parisit është arritja e shkurtimeve progresive më të thella.

Brazili, Meksika dhe Rusia të gjitha presin që emetimet e tyre të rriten në vend që të tkurren, sipas studimit.

Megjithatë, ka shpresa që Kina të rishikojë planet e saj klimatike përpara konferencës në Glasgow.

Si emetuesi më i madh në botë, ajo ka thënë më parë se synon të arrijë kulmin e emetimeve të saj deri në vitin 2030 dhe neutralitetin e karbonit, deri në vitin 2060.

Një deklaratë për objektiva më ambicioze do t’i jepte bisedave një nxitje të konsiderueshme, por nuk ka të dhëna se kur, apo edhe nëse kjo mund të ndodhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore