Lajme

OKB: Më shumë se 100 milionë njerëz të zhvendosur me forcë në botë


“Më shumë se 100 milionë njerëz i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre në mbarë botën”, ka lajmëruar agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR), duke cituar të dhëna të reja për ata që i shpëtojnë dhunës, konfliktit, persekutimit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Lufta në Ukrainë ka qenë një nga faktorët që ka shtyrë miliona njerëz të largohen, bëri me dije UNHCR të hënën, përcjell Albanian Post, duke shtuar se konfliktet e zgjatura në vende të tilla, si Etiopia dhe Republika Demokratike e Kongos (DRC), ishin gjithashtu përgjegjëse për shifrat e larta.

“Është një rekord, i cili nuk duhet të ishte vendosur kurrë”, tha në një deklaratë Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

“Kjo duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për të zgjidhur dhe parandaluar konfliktet shkatërruese, për t’i dhënë fund persekutimit dhe për të adresuar shkaqet themelore që detyrojnë njerëzit e pafajshëm të ikin nga shtëpitë e tyre”.

Shifra prej 100 milionësh është më shumë se 1 për qind e popullsisë globale.

Vetëm 13 vende kanë një popullsi më të madhe se numri i njerëzve të zhvendosur me forcë në botë.

Në vitin 2012, shifra ishte 41 milionë, ndërsa në vitin 2019 ajo arriti në 79.5 milionë.

Të dhënat e UNHCR-së përfshijnë refugjatët, azilkërkuesit dhe ata të zhvendosur brenda vendeve të tyre.

Javën e kaluar, një organ humanitar tha se personat e zhvendosur brenda vendit arritën një rekord prej afro 60 milionë njerëz deri në fund të vitit të kaluar.

Numri i njerëzve të zhvendosur me forcë u rrit në 90 milionë deri në fund të vitit 2021, i nxitur nga dhuna në Afganistan, Burkina Faso, DRC, Etiopi, Myanmar dhe Nigeri, tha UNHCR.

Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt dhe që atëherë më shumë se tetë milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa më shumë se gjashtë milionë refugjatë ikën përtej kufijve.

Grandi kërkoi veprim për të adresuar shkaqet e zhvendosjes, duke thënë se ndihma humanitare po trajtonte vetëm pasojat.

“Për ta kthyer këtë prirje, e vetmja përgjigje është paqja dhe stabiliteti, në mënyrë që njerëzit e pafajshëm të mos detyrohen të luajnë mes rrezikut akut në shtëpi, ose arratisjes së pasigurt dhe mërgimit”, shtoi ai.

UNHCR do t’i sigurojë të dhënat e plota për zhvendosjen e detyruar në vitin 2021 në Raportin e saj vjetor të Trendeve Globale, që pritet të publikohet më 16 qershor.

“Vuajtje e paprecedentë njerëzore”

Një raport i përbashkët javën e kaluar nga Qendra e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme (IDMC) dhe Këshilli Norvegjez i Refugjatëve (NRC) tha se rreth 38 milionë zhvendosje të reja të brendshme u raportuan në vitin 2021.

Disa prej tyre ishin nga njerëz të detyruar të iknin disa herë gjatë vitit.

Shifra shënon numrin e dytë më të lartë vjetor të zhvendosjeve të reja të brendshme në një dekadë pas vitit 2020, i cili pa lëvizje rekord, për shkak të një vargu fatkeqësish natyrore.

Vitin e kaluar, zhvendosjet e reja të brendshme, veçanërisht nga konflikti, u rritën në 14.4 milionë – duke shënuar një rritje prej 50 për qind nga viti 2020, tregoi raporti.

“Shifra e sotme 100 milionë e zhvendosur është një provë e padiskutueshme se liderët globalë po cenojnë njerëzit më vunerabël të botës në një shkallë të paparë më parë”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i NRC, Jan Egeland.

“Ne jemi dëshmitarë të një plage të paprecedentë të vuajtjes njerëzore”.

Fatkeqësitë natyrore vazhduan të përbëjnë shumicën e zhvendosjeve të reja të brendshme, duke nxitur 23.7 milionë lëvizje të tilla në 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore