Kosova

O’Brien: Radoijçiç s’është aktiv në Veri më siç ka qenë – na është premtuar se në Serbi do përballet me ligjin


James O'Brien

Ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka deklaruar se Serbia ka premtuar se kryekrimineli, Milan Radojiçiç, do të përballet me ligjin lidhur me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Këto komente, O’Brien i ka bërë gjatë një paneli diskutimi në margjinat e Forumit të Dubrovnikut, ku, ndër të tjerë, pjesë e tij ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se Radoijçiç do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi”, tha O’Brien.

Top-diplomati amerikan shtoi se është gjë e mirë që kryekrimineli Radoijçiç, “duket se nuk është aktiv në Veri të Kosovës, siç ka qenë më herët”, dhe vazhdoi “shohim se nga kjo ka përfitime pozitive”.

“Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, theksoi O’Brien.

Sa i përket Kosovës, por edhe Bosnje e Hercegovinës, si dy vende ku kohëve të fundit ka pasur rritje të tensioneve, ai potencoi se në të dy shtetet përkatëse duhet të përjashtohet cfarëdo mundësie e përdorimit të dhunës për zgjidhjen e problemeve.

“Duhet të jemi të qartë: Jo lëvizje në Bosnje, jo lëvizje në Veri të Kosovë”, pohoi O’Brien.

Lajçak i përgjigjet Gërvallës për terroristët e Banjës: Qëndrimi i BE-së është i qartë – autorët të mbahen përgjegjës

Ndryshe, përgjegjësinë për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, e ka marrë Milan Radojiçiç, njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Radoijçiç, së bashku me një grup të terroristëve, kishin arritur që të iknin nga Kosova për në Serbi, ku edhe janë duke qëndruar aktualisht.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin, derisa kanë kërkuar që organizatorët të mbahen përgjegjës.

Radojiçiç, për këtë rast, ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar vetëm një ditë më pas.

Nga ana tjetër, Kosova vazhdimisht është duke kërkuar ekstradimin e tij dhe të tjerëve, mirëpo Serbia ka refuzuar që ta bëj një gjë të tillë.

Në fakt, shteti serb nuk është distancuar fare nga sulmi i 24 shtatorit, përkundrazi kanë shpallur ditë zie kombëtare për terroristët e vrarë në Banjë të Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore