Lajme

Nuk ka asnjë marrëveshje me Turqinë për anëtarësimin e Suedisë në NATO, thotë Orban


Nuk ka asnjë marrëveshje hungarezo-turke në lidhje me ratifikimin e ofertës së Suedisë për anëtarësim në NATO, pasi do të jetë në dorën e parlamentit hungarez të vendosë se kur do të votojë për këtë.

Kështu ka thënë kryeministri hungarez Viktor Orban në një konferencë shtypi.

Ai ka thënë se nuk ka gatishmëri të madhe midis ligjvënësve të partisë në pushtet në Budapest për të miratuar ofertën e Suedisë.

Sakaq, aplikimi i Suedisë është penguar nga refuzimi i Turqisë dhe Hungarisë për ta mbështetur atë.

Orban ka thënë në shtator se Hungaria nuk po nxitonte për të ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO, duke shënuar një vonesë të mëtejshme në një proces që ka mbetur i bllokuar në parlament që nga viti i kaluar.

“Nuk ka marrëveshje hungarezo-turke” për ofertën e Suedisë në NATO, ka theksuar ai, duke shtuar se miratimi “do të vendoset vetëm nga parlamenti hungarez…kur ligjvënësit të vendosin se ka ardhur koha për të”.

“Ata nuk kanë një vullnet të madh për të marrë këtë vendim”.

Budapesti ka përmendur ato që i quajti akuzat e padrejta nga politikanët suedezë se kishte gërryer të drejtat demokratike si arsye për vonesën në miratimin e ofertës së Suedisë.

Parlamenti i Hungarisë, aktualisht në pushim dimëror, do të rifillojë punën rreth mesit të shkurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore