Lajme

Një moment historik për Brazilin edhe për botën, teksa rikthehet Lula


Ndërsa lajmi për fitoren e Luiz Inacio Lula da Silva u përhap, një turmë e kuqe – ngjyrat e Partisë së tij të Punëtorëve – u mblodh në rrugën kryesore të Sao Paulos, të etur për të parë presidentin e zgjedhur.

“Lula u kthye”, thërriste turma, teksa lëshonin tymin e kuq në festë.

E, da Silva i siguronte se ishte një fushatë shumë e vështirë.

“Nuk ishte Lula kundër Bolsonaros, ishte një fushatë e demokracisë kundër barbarisë”.

E pëlqeni ose e urreni atë, fakti që Lula, dikur politikani më popullor i Brazilit, po rikthehet në krye të detyrës është një moment në histori.

“Ndihem e lirë, e lehtësuar jo vetëm për popullin brazilian, por për të gjithë planetin – për Amazonën, për demokracinë, për të drejtat e njeriut”, tha 47-vjeçarja Viridiana Aleixo, ndërsa pranoi se Brazili mbeti shumë i ndarë.

Njëzet vjet më parë, Lula erdhi në pushtet duke premtuar ndryshime të mëdha – por një rënie e mëvonshme për skandalet e korrupsionit e skualifikoi atë nga kandidimi në vitin 2018.

Ai kishte një dënim në burg, përpara se akuzat e tij të anuloheshin.

Ka qenë goxha një rrugëtim për Lulën, por ai është kthyer me hakmarrje.

“Kam kaluar një ringjallje politike, sepse u përpoqën të më varrosnin të gjallë”, tha Lula.

“Nga 1 janari nuk do të ketë dy Brazil, ne jemi një – ne nuk duam të luftojmë më, është koha për të hedhur armët tona që nuk duhet të ishin ngritur kurrë në radhë të parë”.

Por bashkimi i Brazilit do të jetë sfida më e madhe e Lulës.

Lula da Silva wins Brazilian election narrowly beating Jair Bolsonaro, official figures show | World News | Sky News

Të dielën, 24-vjeçari Felipe Fonte shkoi për të votuar i veshur me fanellën e futbollit të Brazilit, një ngjyrë që është lidhur me ekstremin e djathtë të Brazilit.

“Unë mendoj se Presidenti Jair Bolsonaro ka shumë të meta, por ai është një njeri i Zotit”, thotë Felipe duke shtuar se ai ka parimet e duhura dhe nuk është hajduti më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë në Brazil.

Edhe pse Lula e merr zyrtarisht detyrën në vitin e ri, puna e tij fillon tani – duke u përpjekur të fitojë njerëz si Felipe.

“Duke filluar nga sonte, fokusi duhet të jetë në fillimin e një dialogu me ata që nuk votuan për presidentin”,  thotë Oliver Stuenkel, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Fondacionin Getulio Vargas në São Paulo.

Në vazhdën e fitores së Lulës, nga kampi i Bolsonaro pati heshtje.

Thashethemet ishin se ai kishte shkuar në shtrat.

Ndoshta një humbës i keq, por ekziston një shqetësim i vërtetë nëse Bolsonaro dhe ndjekësit e tij më radikalë do ta pranojnë votimin.

“Unë mendoj se ne po përballemi me disa ditë dhe javë potencialisht të tensionuara”, thotë Stuenkel.

How Lula Won Brazil's 2022 Election | Time

Por ndërsa bota pret të dëgjojë nëse Bolsonaro do ta pranojë rezultatin ose do ta kundërshtojë atë, siç ka kërcënuar shpesh të bëjë, një gjë është e sigurt: ky është një lajm i mirë për demokracinë.

Ndërsa Lula mund të jetë i njëjti politikan, ai do të udhëheqë një Brazil që është shumë i ndryshëm – dhe shumë më i ndarë – nga ai që mori nën kontroll 20 vjet më parë.

Dhe kjo vjen në një kohë vështirësish të thella ekonomike.

Jo vetëm kaq, por ndërsa Bolsonaro largohet – shpresohet – trashëgimia e tij do të mbetet në Kongres dhe në politikën rajonale.

Lula do të duhet të luftojë me ligjvënësit konservatorë në çdo gjë që do të bëjë.

A do të jetë Lula edhe një herë shpëtimtari i Brazilit, ashtu siç e shohin ende shumë nga mbështetësit e tij?

Të dielën në mbrëmje në Avenida Paulista, ata ishin me shpresë.

“Është koha për të shkuar, Bolsonaro”, brohoritën ata.

Lula është kthyer – dhe ai është këtu për të ndryshuar Brazilin.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore