Lajme

Një grua gjermane burgoset për mbajtjen e një gruaje jezide si skllave


Një grua gjermane që iu bashkua grupit të Shtetit Islamik është dënuar me nëntë vjet burg për krime, duke përfshirë mbajtjen e një gruaje jezide si skllave.

Ajo u shpall fajtore edhe për krime kundër njerëzimit dhe anëtarësim në një organizatë të huaj terroriste.

Një gjykatë në qytetin perëndimor të Koblenz-it ka bërë me dije se 37-vjeçarja kishte abuzuar me të renë jezide për tre vjet, teksa jetonin në Siri dhe Irak.

Po ashtu ka zbuluar se ajo e kishte inkurajuar burrin e saj të përdhunonte dhe rrihte gruan.

Në vitin 2014, luftëtarët e IS-it hynë në atdheun stërgjyshorë të pakicës fetare jezide në rajonin Sinjar të Irakut verior dhe nisën atë që OKB-ja ka thënë se ishte një fushatë gjenocidale.

Mijëra burra dhe djem mbi moshën 12 vjeçare u vranë menjëherë pasi iu dha ultimatumi që të konvertoheshin ose të vdisnin.

Rreth 7 mijë gra dhe vajza u skllavëruan dhe iu nënshtruan abuzimeve brutale.

Midis tyre ishte edhe gruaja e re, të cilën prokurorët kanë thënë se e akuzuara, Nadine K, dhe bashkëshorti i saj e përdorën si skllave që nga viti 2016, kur u zhvendosën në qytetin verior të Irakut, Mosul.

Ata kishin udhëtuar në Siri për t’iu bashkuar IS-it një vit më parë dhe më vonë u kthyen atje me gruan, e cila në atë kohë ishte në fillim të të 20-ave.

Në mars 2019, Nadine K dhe familja e saj u kapën nga forcat kurde në Siri. Ajo u arrestua vitin e kaluar pasi u riatdhesua në Gjermani.

Gjatë gjyqit, e akuzuara mohoi ta detyronte gruan jezide, por tha se ajo duhej të kishte bërë më shumë për të.

Viktima, e cila u lirua në vitin 2019, dëshmoi në gjyqin e Nadine K në shkurt dhe ishte e pranishme në vendimin e së mërkurës.

Avokati i saj ka thënë se ajo shpresonte që të gjithë ata që kishin kryer krime të ngjashme të silleshin para drejtësisë.

Kohët e fundit ka pasur një numër gjyqesh në Gjermani që përfshijnë ish-anëtarë të IS-it të akuzuar për vrasjen ose abuzimin e jezidëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore