Film

Nis aventura e ‘Dy luanëve drejt Venecias’


Në ambientin e hapur të Amfiteatrit të Tiranës, u shfaq premiera e një komedie dramatike me nuanca therëse humori.

Mbrëmjen e 7 qershorit, personazhe të botës së artit, medias, jo vetëm, ishin të pranishëm në promovimin e filmit më të ri shqiptar, i cili bëri bashkë një kast të veçantë aktorësh, si: Kastriot Caushi, Vasjan Lami dhe Marjana Kondi.

Një produksion me pjesëmarrje jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare dhe një “ëndërr e realizuar” tashmë, siç e quajti edhe regjisori dhe skenaristi i filmit, Jonid Gjorgji për Albanian Post (AP).

Në qendër të filmit janë dy kineastë shqiptarë, të cilët janë përzgjedhur të marrin pjesë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Gjatë rrugëtimit të tyre, ata ndeshin dy aktore të kinematografisë pornografike dhe çfarë vjen pas është një aventurë ku ndërthuret drama e jetës së personazheve, me situatat komike, të cilat shkaktuan mjaft të qeshura për publikun në amfiteatër.

Mbrëmja, kushtuar “2 Luanë-ve drejt Venecias” u mbyll mes duartrokitjeve për aktorët dhe stafin realizues.

Nuk munguan as vlerësimet dhe urimet nga ana e publikut, të cilët e cilësuan si një film argëtues “jashtë rutinës së asaj që jemi mësuar të shikojmë”, siç u shpreh edhe aktori, Herion Mustafaraj për AP-në.

Filmi “Dy luanë drejt Venencias” vijon të transmetohet në Amfiteatrin e Liqenit, nga data 8-12 qershor.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore