Kosova

Nga e hëna nis subvencionimi i policës kufitare për mërgatën


Ilustrim

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se nga e hëna (1 korrik 2024) të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS).

“Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi”, ka shkruar Murati në “Facebook” të shtunën.

E subvencionimin e policës kufitare e ka mirëpritur edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili u ka uruar pushime të këndshme mërgimtarëve: “Të dashur bashkatdhetarë, si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot… Mirë se vini në vendlindje!”.

Sivjet, ekzekutivi kosovar ka ndarë 3 milionë euro për subvencionimin e policës kufitare për mërgimtarët. Qeveria e Kosovës, në kuadër të masave mbështetëse për mërgatën, ka subvencionuar policën kufitare të sigurimit gjatë muajve të verës edhe përgjatë dy vjetëve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore