Kosova

Nevzad Lutfiu zgjidhet kryetar i KKSH-së


Nevzad Lutfiu

Nevzad Lutfiu – këtë të marte është zgjedhur edhe zyrtarisht në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Në zgjedhjet e kuvendit të Këshillit Kombëtar Shqiptar – koalicioni i krijuar në mes të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Lëvizjes së Progresit Demokratik, dhe Partisë Demokratike – arritën që fitojnë bashkërisht shumicën e mandateve të këshilltarëve në këtë institucion që udhëhiqet nga shqiptarët.

Në Seancën konstituive të së martës, këshilltarët e partive që e fituan shumicën e këshilltarëve në KKSH, kanë jetësuar marrëveshjen e koalicionit qeverisës, duke zgjedhur Nevzad Lutfiun kryetar.

Në bazë të marrëveshjes së arritur, Lutfiu do të qëndrojë në krye të këtij institucionit për dy vite.

Ai do ta pasojë në këtë institucion kryetarin e deritanishëm, Ragmi Mustafin.

Lutfiu deri më tani ka qenë këshilltar komunal në Komunën e Bujanovcit, dhe njëkohësisht zëdhënës i Lëvizjes e Progresit Demokratik (PVD).

Në një intervistë për Albanian Post kryetari i ri i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, kishte thënë se “përfshirja e Luginës së Preshevës në marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë me patjetër, meqë ky është rast i vetëm ne Evropë e shumë i rrallë në botë ku shteti e diskriminon një pakicë vetëm për shkak të përkatësisë etnike”.

Ai tregoi për AP se pozicioni i tyre është shumë i qartë në drejtimin e KKSH-së, pasi që thotë se shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës duan hiç më pak se “ato të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë”.

“Patjetër, është shansi i fundit që të ndryshoj gjendja sociale dhe ekonomike në Luginë të Preshevës”, potencon Lutfiu për AP.

Pozitën e tij të re, ai e sheh si më të rëndësishme se ato që ka pasur deri më tani, pasi që siç thotë vetë Lutfiu: “Të qenurit në krye të KKSH-së, është detyrë jashtëzakonisht e vështirë sepse do përfaqësosh shoqërinë më të diskriminuar në rajon”.

“Prandaj, me një ekip profesional e një vullnet të madh do të bëjmë çmos që të ngrisim cilësinë në arsim, do ta zhvillojmë kulturën në vendin tonë duke pasur parasysh se kultura është identiteti ynë”, renditi ai disa nga prioritet e tij në krye KKSH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore