Lajme

Nevoja e Meloni-t dhe Scholz-it për shfrytëzimin e fushave të gazit në Ukrainë


Evropa ka nevojë për gaz dhe Ukraina mund të jetë zgjidhje për të.

Ekziston një aspekt i telefonatës mes Giorgia Meloni-t dhe Olaf Scholz-it që nuk është shfaqur mjaftueshëm.

Dhe kjo ndihmon për të kuptuar më shumë evolucionin e marrëdhënieve midis Romës dhe Berlinit.

Kryeministrja dhe kancelari kanë histori të ndryshme politike, por një nevojë të përbashkët: të bëhen të pavarur nga gazi i Vladimir Putin-it, nga i cili Italia dhe Gjermania kanë mbetur të varura për vite.

Gjatë bisedës, liderët folën për rindërtimin e ardhshëm të Ukrainës.

Meloni e përkufizoi atë si një objektiv “vendimtar”, në të njëjtat terma që do të përdorë më pas në përballjen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Shumë do të varet nga konflikti në terren, por argumenti për ndihmën e synuar për të ringjallur vendin dhe ekonominë e tij është një dosje që tashmë është në tavolinat e ambasadave evropiane.

“Plani për rindërtimin e Ukrainës ka filluar”, ka thënë Scholz, duke e krahasuar atë me planin Marshall, me mekanizma të aftë për të funksionuar me kalimin e kohës.

Loja për shfrytëzimin e vendburimeve të konsiderueshme të metanit tashmë është duke u zhvilluar, referuar një burimi.

Për këtë arsye, në konferencën për rindërtimin e Ukrainës të organizuar në Berlin javën e kaluar “ka nisur gjuetia”.

Komisioni Evropian i ka premtuar Kievit mbështetje që korrespondon me një të tretën e nevojave mujore të vendit, rreth 18 miliardë euro në vit.

Në këtë skenar, “Berlini dëshiron të rikuperojë tregun ukrainas për atë që humbi në atë rus”.

Interesat e Italisë dhe Gjermanisë janë përplotësuese.

Disa burime kanë konfirmuar se fushat e gazit ukrainas janë të dytat në vëllim pas atyre të Norvegjisë, e cila është furnizuesi kryesor evropian në këtë vit krize.

Gazi natyror i pranishëm në nëntokën e Ukrainës, nëse shfrytëzohet plotësisht, mund ta shndërrojë vendin në një shtet eksportues të energjisë.

Më me interes është zona Yuzivska, në kufi me rajonet Kharkiv dhe Donetsk, dhe zona Oleska, në rajonet Lviv dhe Ivano-Frankivsk.

Prodhimi në zonën Yuzivska u ngadalësua për shkak të luftës në Donbass, ndërsa prodhimi në Ukrainën perëndimore, larg frontit, u bllokua për shkak të skandaleve të korrupsionit.

Gjatë këtyre tetë muajve të luftës, prodhimi i gazit u ul. Ka mungesë të investitorëve dhe infrastrukturës lidhëse.

Në një studim të Institutit të Ukrainës për të Ardhmen, i vitit 2020, nevojiteshin burime për 19.5 miliardë dollarë për të zhvilluar sektorin.

Përveç 3.5 miliardë dollarëve të nevojshëm për zhvillimin e fushave dhe për ndërtimin e tubacioneve të mëtejshme të gazit.

Për Italinë është një mundësi e rëndësishme.

Diplomatët e kanë informuar Meloni-n se është një lojë që mund të luhet në përputhje me Berlinin, pavarësisht ndarjeve mbi gjithçka tjetër.

Energjia do të jetë gjithashtu zemra e përballjes së parë evropiane të Meloni-t, në Bruksel.

Në javët e ardhshme, kryeministrja italiane do të duhet të jetë e mirë në shfrytëzimin e të gjithë aleatëve të tjerë.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore