Lajme

Neutraliteti austriak apo suedez? Cili do të jetë në tryezën e negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë


Neutraliteti “austriak” ose “suedez”. Në prapavijën diplomatike, ndërkohë që lufta nuk ndalet, fillojnë diskutimet për gjetjen e një formulë për fillimin e një negociate konkrete midis Ukrainës dhe Rusisë.

Vladimir Putin mund të bllokojë ushtrinë dhe të lejojë që qeveria e Volodymyr Zelenksy të mbijetojë. Në këmbim, Ukraina duhet të angazhohet për të transformuar veten në një shtet neutral.

Sot, e mërkurë, 16 mars, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri të ditur se për Moskën “neutraliteti” i Ukrainës mund të jetë një pikënisje për arritjen e një marrëveshjeje.

Zelensky e hodhi poshtë propozimin, duke theksuar se vendi “është në luftë me Rusinë” dhe për këtë arsye “neutraliteti” nuk do të mjaftonte për të siguruar sovranitetin dhe pavarësinë e tij.

Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë si garantues në një marrëveshje paqeje.

Gjithësesi, në tryezën e bisedimeve ka dy modele neutraliteti. Ai “suedez” (ose “finlandez”) dhe ai “austriak”. Suedia e ka deklaruar veten “neutrale” që nga viti 1834, duke i dhënë fund një sezoni të gjatë si një fuqi e madhe.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, suedezët arritën të mos përzihen, pa marrë anë gjatë konfliktit. Megjithatë, ata lejuan që ushtria gjermane të kalonte territorin e tyre për të arritur në Finlandë.

Në vitin 1945 Suedia konfirmoi “statusin” e saj të neutralitetit, por pa e sanksionuar atë as në Kushtetutë, as në një traktat ndërkombëtar.

Në thelb, Parlamenti suedez, si dhe ai i Finlandës që aplikon të njëjtën formulë, mund të vendosë të ndryshojë pozicionin e tij në arenën ndërkombëtare në çdo moment.

Kjo është aq e vërtetë sa që prej disa muajsh, përballë agresionit Putinian, Suedia dhe Finlanda po vlerësojnë nëse do t’i bashkohen Aleancës Atlantike.

Situata e Austrisë është e ndryshme: neutraliteti është i përfshirë në Kushtetutë që nga viti 1955. Është pjesë përbërëse e identitetit të shtetit të ri që doli pas Luftës së Dytë Botërore. Është një zgjedhje që nuk mund të përmbyset me një vendim të thjeshtë politik. Në vend të kësaj, nevojitet një proces i ndërlikuar i rishikimit kushtetues.

Kjo është arsyeja pse ne flasim për “neutralitet të përhershëm”. Është e rëndësishme të theksohet se si Suedia, Finlanda dhe Austria kanë forca të armatosura, detyra e të cilave, megjithatë, kufizohet vetëm në mbrojtjen e territorit kombëtar.

Megjithatë, Austria ruan ende një kanal të hapur për dialog ose “lidhje” me NATO-n. Por mbi të gjitha, austriakët, suedezët dhe finlandezët kanë qenë anëtarë të Bashkimit Evropian që nga viti 1995. Në atë vit BE-ja u hap ndaj tre shteteve neutrale të Kontinentit të Vjetër (Zvicra hoqi dorë në 1992, pas rezultatit negativ të një referendumi) .

Neutraliteti, “i përhershëm” apo “de fakto”, nuk e pengoi pra Vjenën, Stokholmin dhe Helsinkin të marrin vendin e tyre të natyrshëm në BE dhe të fitojnë peshë në ekuilibrin politik.

Diçka e ngjashme mund të parashikohej edhe për Ukrainën, por pa forcuar kohën dhe procedurat. Megjithatë, ky skenar është i lidhur me një sërë kushtesh.

I pari është ai i diktuar në mënyrë legjitime nga Zelensky: sovraniteti i plotë i Ukrainës, i cili duhet të garantohet ndërkombëtarisht me detyrime të pranuara edhe nga Moska. Dhe Ukraina kështu do të jetë në gjendje të mbetet një shtet sovran nëse ruan kryeqytetin, territorin dhe daljen e saj në det, me Odesën.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, parlamenti ukrainas duhet të ndryshojë Kushtetutën, duke eliminuar amendamentet e paraqitura në vitin 2019. Janë të paktën katër pasazhe, në preambulë dhe në nenet mbi kompetencat e qeverisë, parlamentit dhe presidentit, të cilat evokojnë “rrugën euroatlantike” të Ukrainës.

Por në këtë pikë Zelensky tashmë është treguar i hapur për të negociuar lidhur me  “planin për të qenë pjesë e NATO-s”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore