Lajme

Netanyahu thotë se Hamasi duhet “të shtypet” si ISIS, Blinken paralajmëron armiqtë e Izraelit


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi gjatë një konference të përbashkët për mediat në Tel Aviv me kryediplomatin amerikan Antony Blinken se “ashtu siç u shtyp ISIS, duhet të shtypet edhe Hamasi”.

Netanyahu fillimisht falënderoi Blinken për vizitën e tij, si në anglisht ashtu edhe në hebraisht.

“Faleminderit për vizitën tuaj të rëndësishme këtu sot”, u shpreh fillimisht kryeministri Benjamin Netanyahu në anglisht në fillim të deklaratave të tyre të përbashkëta në Tel Aviv.

Duke u kthyer përsëri në anglisht, Netanyahu thotë se vizita “është një shembull tjetër i mbështetjes së qartë të Amerikës për Izraelin”.

“Faleminderit, faleminderit Presidentit Biden dhe faleminderit popullit amerikan për mbështetjen tuaj të pabesueshme për Izraelin në luftën tonë kundër barbarëve të Hamasit”, shtoi ai.

Netanyahu shtoi se përmes sulmit të kësaj fundjave, “Hamasi e ka treguar veten se është armik i qytetërimit”.

“Hamasi e ka treguar veten se është armik i qytetërimit. Masakrimi i të rinjve në një festival muzikor në natyrë, masakrimi i familjeve të tëra, vrasja e prindërve në sy të fëmijëve dhe vrasja e fëmijëve në sy të prindërve. Djegia e njerëzve të gjallë. Prerjet e kokave. Rrëmbimet – të një djali të ri, jo vetëm të rrëmbyer, të ngacmuar, të lënduar, të sulmuar”, theksoi Netanyahu.

Kryeministri izraelit gjithashtu u ankua për “festimin dhe lavdërimin e së keqes”.

“Presidenti Biden ishte absolutisht i saktë kur e quajti këtë të keqe të plotë”, vazhdon Netanyahu. “Hamasi është ISIS, dhe ashtu siç u shkatërrua ISIS-i, po ashtu duhet të shtypet edhe Hamasi”.

“Dhe Hamasi duhet të trajtohet pikërisht ashtu siç u trajtua ISIS”, deklaron Netanyahu. “Ata duhet të pështyhen nga bashkësia e kombeve. Asnjë lider nuk duhet t’i takojë ata. Asnjë vend nuk duhet t’i strehojë ata. Dhe ata që bëjnë duhet të sanksionohen”, thotë ai.

Netanyahu shtoi se nuk ka dyshim se forcat e qytetërimit do të fitojnë dhe arsyeja që është e vërtetë është sepse ne e kuptojmë se cili është parakushti i parë i fitores. Është ajo që sapo thatë në takimin tonë – qartësi morale.

“Kjo është një kohë, një kohë e veçantë, që të gjithë ne duhet të qëndrojmë shtatlartë, krenarë dhe të bashkuar kundër së keqes. Tony, ti po mban atë qëndrim, Amerika po e mban atë qëndrim”, thotë ai.

“Faleminderit Amerikë që qëndron me Izraelin sot, nesër dhe gjithmonë”, përfundon ai dhe më pas ndan një shtrëngim duarsh të fortë me Blinken.

Blinken

Duke folur pas kryeministrit Benjamin Netanyahu, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se ai është “tepër mirënjohës” që është kthyer në Izrael, “në këtë moment tepër të vështirë, për këtë komb, por në fakt për të gjithë botën”.

Blinken tregoi më pas një histori personale si hebre.

Ai tregon për gjyshin e tij që iku nga masakrat në Rusi dhe për njerkun e tij që i mbijetoi kampeve të përqendrimit në Holokaust.

“Unë e kuptoj në një nivel personal jehonën tronditëse që masakrat e Hamasit sjellin për hebrenjtë izraelitë, në të vërtetë për hebrenjtë kudo”, thotë ai.

“Edhe unë vij para jush si bashkëshort dhe baba i fëmijëve të vegjël. Është e pamundur për mua të shikoj fotot e familjeve të vrarë, si nëna, babai dhe tre fëmijët e vegjël të vrarë teksa ishin strehuar në shtëpinë e tyre në Kibbutz Nir Oz, dhe të mos mendoj për fëmijët e mi”, thotë ai.

Ai gjithashtu vë në dukje “solidaritetin e jashtëzakonshëm” të popullit izraelit, radhët e gjata të njerëzve që japin gjak, rezervistët që fluturuan në shtëpi nga jashtë, njerëzit që hapën shtëpitë e tyre për të mbijetuarit.

“Populli i Izraelit ka kohë dhe me të drejtë krenohet me mbështetjen e tij te vetja, me aftësinë e tyre për të mbrojtur veten edhe kur ka shanse kundër tyre”, vazhdon Blinken.

“Mesazhi që unë i sjell Izraelit është ky – ju mund të jeni mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten, por për sa kohë që Amerika ekziston, nuk do të duhet kurrë, kurrë. Ne do të jemi gjithmonë pranë jush”, theksoi kryediplomati amerikan.

Blinken mirëpriti krijimin e qeverisë së urgjencës kombëtare dhe “unitetin dhe vendosmërinë që ajo reflekton në të gjithë shoqërinë e Izraelit”.

“Ne po e mbajmë fjalën tonë”, thotë Blinken. “Furnizimi i përgjuesve të municioneve për të rimbushur Iron Dome, së bashku me materiale të tjera mbrojtëse. Dërgesat e para të mbështetjes ushtarake të SHBA-ve kanë mbërritur tashmë në Izrael, dhe të tjera janë në rrugëtim. Ndërsa nevojat e mbrojtjes së Izraelit zhvillohen, ne do të punojmë me Kongresin për t’u siguruar që ato të përmbushen. Dhe mund t’ju them se ka një mbështetje dërrmuese, dërrmuese dypartiake në kongresin tonë për sigurinë e Izraelit”.

Blinken përsërit paralajmërimin “kristal të qartë” të Amerikës kundër përfshirjes së aktorëve të tjerë – shtetërorë ose jo shtetërorë. “Mos e bëni. Izraeli ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”.

Ai pohon se SHBA-të po punojnë gjithashtu për të siguruar lirimin e pengjeve.

Blinken kritikon liderët botërorë në të kaluarën për dyshime kur bëhet fjalë për sulmet terroriste kundër Izraelit.

“Nuk ka asnjë justifikim, nuk ka asnjë justifikim për këto mizori”, thekson ai. “Ky është, ky duhet të jetë, një moment për qartësi morale”.

Dështimi për ta bërë këtë, thotë ai, i vë në rrezik njerëzit në Izrael dhe kudo, thotë ai, duke vënë në dukje se njerëz nga 36 vende janë vrarë ose zhdukur.

“Kushdo që dëshiron paqe duhet të dënojë sundimin e terrorit të Hamasit. Izraeli ka të drejtën, në të vërtetë detyrimin, të mbrojë veten dhe të sigurojë që kjo të mos ndodhë më kurrë”, shtoi ai.

Blinken përsërit nxitjen që demokracitë marrin çdo masë paraprake për të shmangur shkaktimin e viktimave civile.

“Të paktën 25 qytetarë amerikanë u vranë”, ravijëzoi Blinken.

Blinken takohet me Netanyahu-n në Izrael, rritet bilanci i të vdekurve në Gaza

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore