Lajme

Neofashistët italianë përkujtojnë marshimin e Mussolini-t në Romë


Neofashistët italianë kanë varur një pankartë në një urë pranë Colosseum-it në kryeqytetin e vendit për të përkujtuar 100 vjetorin e marshimit të Benito Mussolini-t.

Me fotografinë e diktatorit fashist, pankarta ka të mbishkruar fjalët “100 vjet më pas, marshimi vazhdon”.

Ajo u shfaq në Ponte degli Annibaldi, një urë e vogël e ngritur pranë monumentit kulturor më të vizituar të Italisë, të enjten e 27 tetorit mbrëma.

Është raportuar se militantët i përkasin Lëvizjes Kombëtare, një grup i ekstremit të djathtë i themeluar dy vjet më parë nga Giustino D’Uva, “njohës i vjetër” i neofashizmit italian.

Mussolini dhe trupat e tij të armatosur fashisë, më 28 tetor të vitit 1922, marshuan nga Milano në Romë “për të kapur për fyti klasën e mjerë sunduese”.

Dy ditë më vonë, mbreti Vittorio Emanuele III i dorëzoi atij pushtetin.

Mussolini e sundoi Italinë për 21 vjet, duke miratuar ligje racore anti-hebraike në vitin 1938 dhe duke dërguar mijëra hebrenj italianë në kampet e vdekjes.

Regjimi i tij fashist ra në vitin 1943.

Në prill 1945, ai bashkë me gruan Clara Petacci, u qëlluan për vdekje nga partizanët në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore përpara se trupat e tyre të vareshin në një stacion karburanti në një shesh të Milanos.

Eshtrat e tij u dërguan në qytetin e tij të lindjes, Predappio, në rajonin Emilia Romagna, në vitin 1957.

Prej vitesh, adhuruesit e tij janë dyndur në Predappio, aq më tepër që kur maozeleumi i familjes së tij në varrezat e San Cassiano u rihap gjatë gjithë vitit marsin e kaluar.

Gati dy mijë fashistë pritet të mblidhen në qytet për një marshim drejt ceremonisë dhe ngjarjeve të tjera të organizuara nga pasardhësit e tij.

Një kundër-marshim i organizuar nga shoqata antifashiste, ANPI, do të zhvillohet gjithashtu në qytet për të shënuar përvjetorin e çlirimit të Predappio nga fashizmi.

Sakaq, përvjetori i marshimit në Romë përkon me marrjen e pushtetit të një qeverie të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë së Giorgia Meloni-t, një parti me origjinë neofashiste.

Meloni, e cila është kryeministrja e parë e Italisë, e ka denoncuar fashizmin gjatë fjalimit të saj të parë në parlament, duke thënë se ajo i kishte konsideruar gjithmonë ligjet racore të Mussolini-t si “pikën më të ulët në historinë italiane”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore