Kosova

Nenad Orloviç dënohet me 15 muaj burgim për sulmin e majit në Zveçan


Sulmi i majit ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësja, Valbona Musliu-Selimaj.

Siç, ka njoftuar, Themelorja, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, Orloviç u dënua me 15 muaj burgim”, ndërsa për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” u dënua me 12 mijë euro gjobë.

“Dënimi do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, derisa koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23 qershor 2023 do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim”, tha gjykatësja Musliu Selimaj.

Gjykatësja Musliu-Selimaj njoftoi se me aktvendim të veçantë të akuzuarit Orloviç do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në kohëzgjatje të dënimit.

Nenad Orloviç, ka pranuar fajësinë për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, që kishte ndodhur në maj të 2023-së.

Pranimi i fajësisë ka ardhur pas marrëveshjes me Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe të akuzuarit Orloviç.

Më 20 qershor, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka arrestuar një person në Zveçan, i dyshuar për sulm ndaj trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në maj të vitit të kaluar.

“Njësia policore gjatë realizimit të detyrave ligjore në një pikë kontrolli kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë verifikimit ka rezultuar se është i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve policor afër objektit të Komunës”, thuhej në njoftimin e policisë.

Aty theksohej se i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Si pasojë e sulmeve të serbëve në Veri të vendit kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe serbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore