Lajme

Në prill synohet heqja e vizave për poseduesit e pasaportave ilegale serbe në Kosovë


Foto: REL

Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për poseduesit e pasaportave ilegale serbe që jetojnë në Kosovë, Matjazh Nemes, synon që vendimi për heqjen e vizave të miratohet në prill, para zgjedhjeve të qershorit në Bashkimin Evropian.

Kështu të paktën kanë thënë për “Radio Evropa e Lirë”, nga kabineti i eurodeputetit slloven, derisa kanë bërë me dije se tanimë Nemec ka përpiluar draftin e raportit për heqjen e vizave për përdoruesit e pasaportave ilegale serbe, të cilat lëshohen nga i ashtuquajturi “Autoriteti Koordinues”, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Nga zyra e Nemec kanë theksuar se Komisioni për liritë qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme i PE-së do të duhej të votonte për këtë raport më 8 prill, në mënyrë që më pas raporti të mund të hidhej në votim në seancën plenare të PE-së që zhvillohet nga 22 deri më 25 prill.

Kjo në fakt do të jetë seanca e fundit plenare e përbërjes aktuale të PE-së, pasi nga 6 deri më 9 qershor do të mbahen zgjedhjet e reja për këtë institucion në 27 vendet anëtare të BE-së.

“Plani, natyrisht, është preliminar dhe në secilin moment mund edhe të pësojë ndryshime, nëse kështu vendos shumica në Parlamentin Evropian”, thuhet në përgjigjen dërguar REL-it nga zyra e eurodeputetit Nemec.

“Qëllimi i raportuesit është që të miratohet kjo dosje në seancën e fundit plenare në prill dhe do të bëjmë përpjekje që kjo të ndodhë”, kanë shtuar.

Ndryshe, Nemec ishte emëruar raportues i Parlamentit Evropian për ndryshimin e rregullores për liberalizimin e vizave për Serbinë, ku do të përfshiheshin edhe poseduesit e pasaportave të këtij shteti që kanë vendbanim në Kosovë, më 4 mars.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar një vendim të tillë, madje të njëjtin e ka quajtur “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 mund të lëvizin pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian (BE), por lëvizja e lirë pa viza nuk vlen edhe për poseduesit e pasaportave ilegale serbe. Në pasaportat e lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë në pjesën veriore të territorit kosovar, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime në territorin e Serbisë.

Përkundër se Komisioni Evropian (KE) vitin e kaluar propozoi përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave për Kosovën, një propozim i tillë nuk është aprovuar ende nga Këshilli i BE-së, pas së cilës kërkohet konfirmimi në PE.

PE-ja cakton raportues të posaçëm për heqjen e vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore