Shqipëria

Në pranga administratori i call centre-it në Elbasan dhe procedim penal për 4 punonjësit për mashtrim


Në Elbasan, administratori i një call centre-i ka rënë në prangat e policisë, ndërsa 4 punonjës do të procedohen penalisht.

Ata akuzohet se mashtronin shtetas të huaj nëpërmjet pajisjeve kompjuterike, për të investuar në tregje fiktive.

Operacioni policor i koduar “Pending call”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit nëpërmjet një subjekti call center, ka zbuluar se ata mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet pajisjeve kompjuterike, për të investuar në tregje fiktive.

Po ashtu janë sekuestruar kompjuterë, USB dhe celularë që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Dhe një sasi lënde narkotike kanabis që iu gjet njërit nga operatorëve.

Në kuadër të operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi M. N., 26 vjeç, banues në Tiranë, si dhe janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. Sh., 27 vjeç, I. K., 26 vjeç, E. B., 28 vjeç dhe N. S., 24 vjeç, të katërt banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 5 shtetas, nëpërmjet një subjekti call center (me administrator shtetasin M. N. dhe operatorë 4 shtetasit e proceduar), në lagjen “Sul Paprri”, Elbasan, mashtronin shtetas të huaj, në mënyrë që ata të investonin para në tregje fiktive.

Në ambientet e subjektit call center janë gjetur nga shërbimet e Policisë, 3 kompjuterë, 1 laptop, 2 USB dhe 6 aparate celulare, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis që iu gjet shtetasit N. S.

Sakaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore