Kosova

Në Kosovë pritet të hiqet ora policore dhe të lejohen dasmat


Në Kosovë pritet të hiqet ora policore dhe të lejohen dasmat. Kështu ka njoftuar Asociacioni i Komunave, pas një mbledhje të përbashkët me Minsistrin të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Asociacioni ka treguar se pas takimit koordinues  me ministrin Vitia, janë pranuar kërkesat e komunave për tu lehtësuar masat që ishin vendosur nga Qeveria e Kosovës, për ta luftuar pandeminë Covid-19.

“Në këtë takim u tha se së shpejti do të hiqet ora policore dhe do të lejohen ahengjet me fillim në sezonës së verës kur do të vijnë edhe mërgimtarët. Kjo u mirëprit nga Kryetarët e Komunave të cilët vlerësuan të drejtë kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës ditë më parë për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave meqë këto do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal”, thuhet në njoftim.

Përkundër rënies së rasteve të infektimeve, sipas Asociacionit të Komunave, respektimi i masave nuk ka alternativë.

“Tek lirimi i masave, pas konsultimeve me kryetarët e komunave, brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe pritet të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit do të lehtësohen edhe masat lidhur me ahengjet. Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 12 e natës ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre, ministri Vitia i ka falënderuar kryetarët e komunave për bashkëpunimin.

“Në këtë takimi Ministri Vitia falënderoj kryetarët e komunave për bashkëpunimin e deritashëm duke potencuar se puna e tyre është shumë me përgjegjësi meqë dera e parë e qytetarit është komuna dhe shpesh komunave iu bie barra që të marrin përsipër edhe shumë vendime që merren në nivelin qendror”.

Po ashtu Ministri Vitia ka thënë se të premten do të arrijnë edhe 100 mijë vaksina tjera anti-covid, që do të shërbejnë për rritjen e imunizimit të qytetarëve.

“Ministri Vitia tha se aktualisht tema kryesore e jona është procesi i vaksinimit dhe pritet që të premten të vijnë edhe 100.000 vaksina të reja ku do të nis procesi i vaksinimit në masë të qytetarëve. Po ashtu tani kemi lehtësuar edhe procedurat për aplikim për vaksinim në platformën e-Kosova por edhe komunat kanë ndihmuar në regjistrimin e të moshuarve për procesin e vaksinimit”, thuhet në njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore