Shqipëria

Në kërkim të kryedemokratit


Nëse shkruan Partia Demokratike në motorin e kërkimit të Google zbulon se web-i zyrtar i kësaj force politike drejtohet nga Sali Berisha.

Po të kërkosh Partia Demokratike në median sociale “Facebook”, ajo drejtohet ende nga Lulzim Basha.

Nëse sjellim në vëmendje deklaratën e 19 qershorit të përfaqësuesit demokrat Gazment Bardhi, atëherë kuptojmë se kjo forcë politike po shkon tejet e përçarë drejt zgjedhjes së kryetarit të ri.

Janë zyrtarisht tre fraksione që gëlojnë brenda selisë blu, të cilat luajnë me legjitimitetin e partisë më të madhe opozitare prej dy vitesh.

Të martën e 20 qershorit, Partia Demokratike do të mirëpresë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Procesi zgjedhor do të drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë.

Gjatë kësaj kohe, secili kandidat duhet të ketë paraqitur kërkesën për kandidim.

Fushata zgjedhore zhvillohet nga data 24 qershor deri më 27 korrik.

Zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike zhvillohen më 29 korrik.

Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor do të zhvillohet gjithashtu brenda muajit shtator të këtij viti.

Kriteret e kandidatëve për kryetar

Aftësitë e angazhimit politik, organizative dhe integritetin moral.

Këto janë kriteret që duhet të ketë kandidatët e përfshirë në procesin e zgjedhjet të kryetarit të ri të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, ata do të plotësojnë edhe një formular përkatës sa i takon procedurave.

Ato përfshijnë: të jetë anëtar i Partisë Demokratike prej të paktën 3 vitesh, të ketë kontribuuar aktivisht në fushatat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit dhe të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit.

Gjithashtu thuhet se duhet të “ketë mbrojtur dhe promovuar në vazhdimësi interesat, vlerat themelore dhe programin e Partisë Demokratike”.

“Të mos ketë masa disiplinore në fuqi sipas parashikimeve të Statutit të Partisë Demokratike, të ketë figurë të pastër gjyqësore, duke plotësuar kushtet e dekriminalizimit.

Ndër të tjera ravijëzohet se duhet “të ketë figurë të pastër ideologjike, duke plotësuar kushtet e dekomunistizimit”.

Kandidati, sipas PD-së duhet të ketë reputacion të lartë në radhët e anëtarësisë, tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe në opinionin publik.

Fraksioni i tretë

Më herët, Gazment Bardhi zbuloi se 17 anëtarë vendosën për mospjesëmarrje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

“Sipas rregullores, njoftimi për mbledhjen e Këshillit Kombëtar është kompetencë e sekretarit të përgjithshëm. Pas konsultimit me kolegët e grupit parlamentar, 17 anëtarë të grupit vendosën mos-pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme (sot) të Këshillit Kombëtar”, nënvizoi përfaqësuesi demokrat.

Ky i fundit ravijëzoi se “fillimisht e mbështeta mbledhjen e Këshillit, por nuk kisha njohur përmbajtjen konkrete të tij”.

“Një opozitë e dobët i shërben vetëm pushtetit të Edi Ramës. Në PD po veprohet sipas interesit personal dhe jo në interes të demokratëve. Siç jeni në dijeni një pjesë e kryesisë së PD e rrëzoi platformën e ringritjes nga baza në qendër duke i hapur rrugë zgjedhjes së menjëhershme të kryetarit të partisë”.

Bardhi theksoi se vendimet e marra nga Kryesia dëshmojnë pasiguri dhe nuk zgjidhin situatën e PD-së.

“Ky qëndrim nuk më shërben mua. Do ishte e lehtë të bënim rolin sa për të marrë një post, por ju siguroj se as nuk kemi dhe as nuk do bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së. Nuk ka kompromis për këtë. Beteja e kolegëve të mi ka vetëm një qëllim, të qëndrojmë përballë pushtetit dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse”.

Kërkesat e tyre

Me firmën e shtatë anëtarëve të Kryesisë, janë bërë tre kërkesa.

E para lidhet me miratimin e grupeve të punës për mbikëqyrjen e procesit të evidentimit të listave të anëtarësisë në Degët e PD-së.

E dyta, me miratimin e rregullores së brendshme “Mbi modalitetet e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike”.

E treta dhe e fundit, me plotësimin e vakancave dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor.

Shtatë firmëtarët, janë Taulant Zeneli, Endri Hasa, Gazmend Koduzi, Taulanda Jupi, Kreshnik Çollaku, Xhemal Gjunkshi dhe Gentian Gaba.

Të gjitha këto, në kuadër të zgjedhjeve për kryedemokratin e ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore