Shqipëria

Ndryshimet organizative dhe statutore brenda PS-së


Kreu i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fill pas prezantimit të kabinetit të ri qeverisës mblodhi Grupin Parlamentar të PS-së.

Në vijim të kësaj mbledhjeje të mbajtur një ditë më parë, u mor vendimi për ndryshimin e statutit të PS-së dhe mënyrën e organizimit.

Sekretari i Përgjithshëm – i sapozgjedhur – Damian Gjiknuri ka deklaruar se këto ndryshime i paraprijnë përgatitjes së strukturave për zgjedhjet e ardhshme vendore, 2023.

“Sekretarit të Përgjithshëm dhe ekipit të tij i japim 100 ditë kohë për të përgatitur projektin e ri. Pas 100 ditësh i votojmë ose jo këtu në bazë të bindjes që do të krijojë platforma e tyre”, pat deklaruar Rama pas prezantimit të Gjiknurit si sekretar i Përgjithshëm i PS-së.

Gjiknuri foli gjithashtu për riorganizimin e fundit të partisë dhe largimin e Taulant Ballës nga roli i sekretarit të Përgjithshëm.

“Nuk jam në dijeni të ndonjë pakënaqësie (referuar Ballës). Natyrisht, ka pritshmëri të ndryshme brenda një grupi, mbase një fund që nuk është përmbushur”.

Në vijim të deklaratës, ai tha se, “Balla ka një rol vendimtar, pasi drejton grupin parlamentar të PS-së. Ndarja e dy funksioneve u bë për të riorganizuar partinë dhe, në asnjë mënyrë, për të pakësuar ose përmirësuar askënd”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ballës, pasi u njoh me vendimet e Ramës të enjten e 2 shtatorit.

“Të jesh kreu i grupit parlamentar dhe drejtues i qarkut të dytë më të madh, është një post i rëndësishëm”, theksoi Balla, duke iu shmangur pyetjes së konfirmimit të Gjiknurit si sekretar partie.

Në mbledhje, përveç ndryshimeve, u diskutua dhe për Legjislaturën e re, e cila nis punën më 10 shtator. Kjo e fundit, sipas dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë, tanimë do të drejtohet nga një grua, Lindita Nikolla, ish-ministre e Arsimit.

Nga ana tjetër, pas shpalljes së kabinetit të “Rama 3” e përbërë nga 12 gra dhe katër burra – që do të qeverisë vendin për 4 vitet e ardhshme – të shtunën e 4 shtatorit PS-ja dorëzoi në Presidencë propozimin e Edi Ramës si kryeministër.

Mes figurave të reja dhe atyre të rikonfirmuara, pritet betimi i kabinetit dhe dekretimi nga presidenti Ilir Meta.

Duke pasur parasysh konfliktet dhe përplasjet mes Metës dhe Ramës, ky i fundit ka deklaruar më herët se “përderisa ai (Meta) qëndron në atë zyrë, unë do të shkoj të betohem”.

Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, Partia Socialiste do ta udhëheqë vendin në mandatin e tretë qeverisës radhazi.

Ristrukturimi i PS-së

Rama, gjatë Asamblesë Kombëtare, njoftoi edhe krijimin e një Akademie Politike për të rinjtë. Anëtarë të saj do të jenë Servet Pëllumbi, Et’hem Ruka, Lindita Nikolla, Arbër Manziku dhe Ditmir Bushati.

Në fjalën e tij, kryeministri bëri me dije se sekretar Organizativ do të jetë Blendi Klosi.

“Eksperienca, vullneti dhe aftësia e tij do të sjellin rritje dhe performancë të mirë në qarqe”, tha Rama.

Ndërkohë, sekretari i ri Digjital do të jetë Etjen Xhafaj.

Anila Denaj do të drejtojë burimet njerëzore të PS-së, ndërsa Etilda Gjonaj do të jetë sekretare e Gruas.

Ndërkaq, Romina Kuko do të jetë sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Bojkena Basha do të jetë sekretare e Rinisë Socialiste.

Kryesia e Partisë Socialiste do të përbëhet nga gjashtë gra. Përkatësisht nga gratë do të jetë Ogerta Manastirliu, Mimi Kodheli, Evis Kushi, Belinda Balluku, Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti. Jashtë listës u lanë jo pak emra të njohur, siç janë Klotilda Ferhati, Almira Xhembulla dhe Milva Ekonomi.

Ndërkohë, gjashtë do të jenë dhe burra: Pandeli Majko, Erion Braçe, Ditmir Bushati, Ilir Beqja, Arben Pëllumbi dhe Armando Subashi.

Jashtë saj mbetën Fatmir Xhafaj, Pjerin Ndreu, Ervin Demo dhe Eduard Shalsi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore