Lajme

“Ndryshime tektonike” i quan Vuçiç zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës


Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë

“Ndryshime tektonike”, i ka quajtur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, duke folur në një konferencë për media.

Të dielën u zhvillua një “kryengritje politike paqësore e popullit serb”, shtoi Vuçiç.

Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të djeshme tregojnë një realitet krejtësisht të ndryshëm.

Vuçiç ka folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke i quajtur zgjedhjet në Kosovë, “humbje të tij”.

“Populli serb tregoi se kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, së pari nga bashkësia ndërkombëtare, për një respekt më të madh, dialog, një dialog të vërtetë dhe jo imponimi i zgjedhjeve”, ka thënë Vuçiç para gazetarëve.

“Numri i serbëve të dalë në total është 13, dhe dy prej tyre thonë se kanë dalë gabim”, thotë presidenti Vuçiç, duke shtuar se në Zubin Potok nuk pati asnjë votues serb.

Më krahasimet e nxjerra nga Vuçiç, edhe shqiptarët votuan dy herë më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2020.

“Nën një, zgjedhjet e 23 prillit janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it. Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”.

Sipas fjalëve të Vuçiçit, “mesazhi më i rëndësishëm për serbët dhe për botën është se nuk ka dialog të vërtetë. Ne nuk po bisedojmë, por po marrim dokumente të imponuara që duhet të favorizojnë Kosovën, sepse shtetet e QUINT-it mbështesin Kosovën e pavarur”, tha Vuçiçi.

Sipas tij, “99.97% e serbëve kanë treguar jo vetëm se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Kosovës, por edhe se nuk u intereson pushteti i Kosovës”.

“Ata gjithashtu kanë treguar se askush nga perëndimi nuk i ka dëgjuar dhe që ne në Beograd nuk i kemi kuptuar gjithmonë se sa e vështirë ishte situata në të cilën ata ndodheshin”, deklaroi Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore