Shqipëria

‘Ndarja nga Maqedonia e Veriut – Rama në Berlin për çeljen e negociatave’


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e 11 prillit ka nisur vizitën e tij zyrtare në Gjermani.

Ai, përpos vizitave të tjera me personalitete të politikës gjermane, sipas agjendës, pritet të takohet edhe me kancelarin Olaf Scholz.

Sipas së përditshmes gjermane “Deutsche Welle”, Rama pritet të kërkojë nga Scholz përkrahje për çeljen e negociatave.

Scholz, nga ana tjetër, që pas ardhjes së tij në detyrë ka qenë një përkrahës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne duhet të kujdesemi që t’i forcojmë dhe mbështesim rajonet fqinjë”, tha ai në fund të marsit pas takimit me homologun e tij austriak, Karl Nehammer.

Tashmë Qeveria shqiptare pas Këshillimit Kombëtar pritet të kërkojë ndarjen e rrugëtimit nga Maqedonia e Veriut.

Zyrtarisht ky proces po bllokohet nga Bullgaria, e cila ka disa mospajtime me Maqedoninë e Veriut.

Por qarqet diplomatike – për DW – thonë se, për të dhënë përfundimisht dritën jeshile për çeljen e negociatave, një rol vendimtar luajnë edhe zgjedhjet presidenciale në Francë.

Kryetari i komitetit të zgjerimit të BE-së në Bundestagun Gjerman, politikani i partisë Të Gjelbrit, Anton Hofreiter, në një intervistë i tha DW-së se shpreson që çelja e negociatave të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale të Francës.

“Kam përshtypjen se edhe BE është vetëdijësuar se rajoni dhe Evropa do të bëhen më të qëndrueshme dhe më të forta, me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Deri tani asnjë nga bashkëbiseduesit e tyre nuk është shprehur hapur për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Anton Hofreiter, në një intervistë për DW tha se, “shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut është e mundur, por nuk ka shumë kuptim”.

Hofreiter tha se shpreson që “qeveria e re e Bullgarisë të ndryshojë qëndrimin e saj”.

Për DW-në, Rama gëzon mirëbesim në Berlin, edhe sepse politika e jashtme e Shqipërisë është në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së.

Një arsye tjetër, është edhe se raporti i forcave në parlamentin gjerman ka ndryshuar, në favor të përkrahësve të politikave të zgjerimit.

Marrë nga DW, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore