Muzikë

Ndahet nga jeta, këngëtari i muzikës popullore shqipe, Ismet Bogujevci


Këngëtari i njohur i muzikës popullore shqipe dhe solisti i Ansamblit “Shota”, Ismet Bogujevci, ka dhënë lamtumirën e fundit, duke lënë pas vetes një repertuar të pasur me perla artistike, të cilat do të jetojnë përherë në veshët e atyre që e deshën muzikën dhe personalitetin e tij.

Mes krijimesh të shumta të suksesshme të Bogujevcit janë edhe këngët si “Martesa jonë”, “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit” si dhe “Sillma erën e malit”, të  cilat akoma vazhdojnë të dëgjohen me ëndje nga artdashësit e muzikës së vjetër popullore shqipe.

Madje, kënga “Martesa jonë”, edhe tash pas shumë dekadash që kur Bogujevci e prezantoi për herë të parë, vazhdon të jetë muzika që shoqëron çiftin në dasmat shqiptare, teksa ata hyjnë brenda ahengut.

Kur përmendim hitet e Bogujevcit, nuk guxojmë të harrojmë bashkëpunimin e tij të famshëm me “Bilbilin e Kosovës”, Nexhmije Pagarueshën.

Dyshja Bogujevci dh Pagarusha, sollën bashkë këngën “Njëri tjetrin e duam shumë”, me një tekst super të ëmbël që nëpërmes vargjeve të ndishme paraqiste edhe nostalgji. Kjo këngë u mirëprit publiku shqiptar duke qenë ndër më të njohurat e kohës.

Ndryshe, lajmin për vdekjen e Ismet Bogujevcit, e ka bërë të ditur i biri i tij, përmes një postimi në Facebook.

“Ju njoftojmë gjithë familjen e miqësinë se sot më 13 maj ndërroi jetë më i shtrenjti ynë. Kaluam shumë sfida bashkë babë, pusho në paqe me tingujt e muzikës tënde që kur s’kanë me u shu”, ka shkruar Rigon Bogujevci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore