Lajme

Murati: Më 2023, shpenzimet janë rritur për 13%


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se përmes një raporti preliminar të shpenzimeve të buxhetit, në vitin 2023 shpenzimet janë rritur për 13 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Në një raport të publikuar në nëntor, i cili përfshinte periudhën kohore janar-shtator 2023, tregohej se buxheti i përgjithshëm për investime kapitale për vitin 2023 ishte 896.44 milionë euro, ku prej tyre, pra deri më 30 shtator të këtij viti, ishin shpenzuar vetëm 263.78 milionë euro, apo 29 për qind e vlerës totale të parashikuar.

Mirëpo, përkundër këtyre të dhënave, Murati thotë se investimet kapitale “është kategoria që është rritur më së shumti në vitin 2023, me 32 për qind më shumë sesa viti 2022”, pra me vitin kur me vendin qeveriste po ky ekzekutiv.

“Kategoria Paga dhe Shtesa është e dyta me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit, me 114 milionë euro më shumë, apo 17% më shumë sesa viti 2022”, shtoi ai, dhe sipas kjo është tregues “se në sektorin publik ka pasur rritje mesatare të pagave që ka tejkaluar shkallën mesatare të inflacionit prej 11.6 për qind të vitit 2022”.

Mallrat dhe Shërbimet, sipas ministrit, “gjithashtu me 17 për qind kanë trendin e njëjtë të rritjes, mirëpo si vlerë absolute rritja është përgjysmë më pak sesa kategoria Paga dhe Shtesa”.

“Ndërsa Subvencionet dhe Transferet kanë pasur rritjen më të vogël nga të gjitha kategoritë, me vetëm 1 për qind”.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, vazhdimisht është kritikuar për politikat ekonomike, posaçërisht për mungesën e investimeve kapitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore