Lajme

Mos-votimi i Projektkodit Civil, Selimi: Kongresisti Torres është deklaruar homoseksual, çka do t’i thotë Kurti?


Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se çfarë do t’i thotë kongresistit amerikan Ritchie Torres, pasi ky i fundit është deklaruar haptas që është homoseksual, pasi në Kuvend nuk u miratua Projektkodi i ri Civil i cili përmbante edhe një nen që hap rrugën për ligjin që do të rregullonte bashkëjetesën dhe martesën e personave me gjini të njëjtë.

 “Barra kryesore i bie partisë në pushtet pasi i ka 61 vota. Kjo parti sa mundet ia bënë tëet, ri-tëeet, share deklaratës së Ritchie Torres i cili iu kërkoi pesë vendeve të BE-së ta njohin Kosovën. Ai ka deklaruar haptas se është homoseksual”, tha Selimi në RTV Dukagjini.

“Nesër pasnesër do të kemi një kryeministër që shkon në Amerikë. Çfarë do t’i thotë ai Richard Torresit i cili është pasardhës i Eliot Engel-mbështetësi më i madh i shqiptarëve”.

Sipas tij, “kjo parti ka standard të dyfishtë dhe nuk i mbledh deputetët e saj për këtë çështje të rëndësishme”.

“Sot deputetët e Kuvendit votuan edhe kundër të drejtave të grave. Deputetët votuan kundër trashëgimisë, votuan kundër motrave tona pasi nuk iu ndahet pasuria”.

Ndryshe nga 61 deputetët, të cilët votuan, vetëm 28 prej tyre kanë votuar pro, ndërsa kundër 29. Katër deputetë abstenuan.

Disa nga deputetët e Vetëvendosjes, jo që nuk kanë votuar pro, por edhe kanë kundërshtuar ashpër projektkodin.

Si është aktualisht e rregulluar kjo çështje?

Me Kushtetutën e Kosovës, parashikohet që “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Por, ka një deformim më pas në Kodin Civil aktual, pasi që aty konkretizohet martesa si një e drejtë që i takon vetëm një dysheje heteroseksuale.

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore