Kosova

Mos njohja e diplomave të Luginës, problem që do të zgjidhet shpejt


Të rinjtë nga Lugina e Preshevës vazhdojnë të kenë vështirësi për t’u çasur e punësuar në institucionet shtetërore, kjo për shkak të mos njohjes së diplomave, nga shteti i Kosovës.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se janë duke e trajtuar me prioritet njohjen e diplomave të këtyre studentëve dhe të gjithë studentëve të tjerë të cilët kanë përfunduar studimet në vende të ndryshme të botës.

“Janë probleme te kamotshme të cilat ne jemi duke i trajtuar me prioritet, besoj do angazhohemi fort që të gjejmë një zgjidhje ashtu që për të gjitha ato çështje dhe studentët mos të pësojnë që pa fajin e tyre kanë ardhur në një situatë ku për shkak të neglizhencës, pakujdesisë apo edhe dështimit të qëllimshëm të personave që kanë pasur përgjegjësi, t’i vuajnë pasojat tashmë studentët”, tha ajo në një intervistë për ekonomiaonline.

Më tej Nagavci ka folur edhe për mësimin plotësues që po mbahet nëpër shkolla për kompensimin e ngecjeve në mësimnxënie, për shkak të pandemisë, të cilën ajo e cilësoi si sfidë dhe përvojë e re për mësimdhënësit.

“Ka shumë shkolla që edhe ashtu shumë mësimdhënës kanë mbajtur mësimin plotësues për nxënësit që kanë pasur vështirësi në nxënie, ashtu edhe për pjesën tjetër, pra ka qenë një përvojë e re për mësimdhënësit, por në anën tjetër ajo se çfarë pajtohem është se ka qenë vendosja e nxënësve nëpër klasë të ndryshme që ka sjell nevojë për kujdes më të shtuar dhe që duhet të menaxhohet më mirë në të ardhmen”, ka shtuar Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka deklaruar se problemet e shkaktuara në arsim, nga pandemia duan trajtim më të gjatë.

“Nuk është se janë bërë hulumtime të sakta edhe të plota, por që pandemia ka sjell mjaft pasoja dhe do të na duhet një kohë e gjatë që t’i plotësojmë dëmet e shkaktuara nga pandemia”, theksoi tutje ajo.

Nagavci ka thënë se janë duke punuar maksimalisht që të kompensojnë humbjet nga pandemia dhe të përmirësojnë gjendjen në arsim.

“Përveç sfidave që ballafaqohet arsimi ndër vite e me dekada tashmë kemi filluar punën me kohën kur jemi përballë edhe me kushtet e pandemisë kështu që jemi munduar për sa është e mundur të kompensojmë edhe humbjet që janë krijuar nga pandemia dhe të sigurohemi për shëndetin e nxënësve dhe të mësimdhënësve që të mos na mungojnë edhe rezultatet në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, ka shtuar për fund ministrja Nagavci.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore