Shqipëria

Ministria e Drejtësisë dërgon drejt Turqisë dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit


Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Ministrisë turke të Drejtësisë dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të Dritan Rexhepit.

Me kërkesën për ekstradimin e shtetasit, dosja është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë 16 dhe 17 nëntor.

Më herët, Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht drejt Turqisë një kërkesë për ekstradimin e Dritan Rexhepit, të shumëkërkuarit, i cili njihet edhe si “gjeniu i mafies shqiptare” dhe që u arrestua disa ditë më parë në Stamboll, falë një operacioni të koordinuar të Policisë turke.

Ekstradimi gjithsesi nuk është fakt i kryer, pasi “në garë” për të është edhe Italia, ku Rexhepi është dënuar me 20 vite burg.

Ekuadori po ashtu, vendi ku Rexhepi ushtronte aktivitetin dhe kreu edhe një arratisje spektakolare nga burgu, e kërkon atë nga Turqia.

Tashmë duhet parë se ku shteti turk do të vendosë ta ekstradojë atë dhe cila dosje do të jetë më e plota dhe bindësja për autoritetet turke.

Disa ditë më parë, ka qenë Policia shqiptare, ajo e cila ka dhënë po ashtu edhe detajet, mbi kërkesën e ekstradimit.

Dritan Rexhepi u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

– Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

– Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore