Lajme

Ministri i VV-së i kërkon ndihmë deputetit të PDK-së për sigurimin e vaksinave Pfizer


Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ka ftuar në takim deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, takim ky që kishte për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me kompaninë Pfizer për sigurimin e vaksinave.

“Ministrit Vitia, sekretarit të përgjithshëm Naim Bardiqit dhe ekipit të Ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarisht ua ofrova komunikimin dhe kontaktet që i kam pasur me kompaninë e cila po na e ofron mundësinë e sigurimit të 500 mijë deri në tre milionë vaksina Pfizer”, ka njoftuar Haxhiu përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, Vitia dhe Bardiqi janë zotuar se Komiteti i MSH-së për sigurim të vaksinave, do të kontaktojë kompaninë në fjalë.

“Tani i takon Ministrisë së Shëndetësisë që të punojë me seriozitet, përgjegjësi dhe përkushtim  në procedurat e mëtutjeshme për sigurimin e vaksinave anti COVID-19”, ka shkruar Haxhiu.

Ai tutje ka theksuar se nuk duhet shikuar pozita apo opozita sepse në situata të tilla duhet punuar në të mirë të popullit dhe shëndetit të tyre.

“Pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë në këtë situatë, të gjithë së bashku duhet të punojmë për të mirën e shëndetit të qytetarëve. Virusi po vret çdo ditë qytetarët e Kosovës pa dallim partie politike dhe partitë pa dallime politike duhet të punojnë për të mposhtur pandeminë”, ka shtuar ai.

Sipas tij barrën kryesore e ka Lëvizja Vetëvendosje meqë është edhe partia e parë.

“Sigurisht se përgjegjësinë kryesore e ka subjekti politik që është në Qeveri”, ka thënë Haxhiu duke e përmbyllur se për më shumë se një vit pandemi, të gjithë kanë humbur njerëzit e dashur si pasojë e Coronavirusit.

“Prandaj vaksina është shpëtim jete”, përfundoi Haxhiu.

Ndërkaq në Kosovë, më 28 mars, ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

Janë gjithsejtë 24 mijë doza të vaksinave kundër Coronavirusit që kanë në kontingjentin e parë.

Kosova, si një nga vendet e përfshira në program, besohet se do të mund të përfitojë nga COVAX, 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore