Lajme

Ministrat evropianë, mbledhje urgjente për krizën me refugjatët afganë


Emigrimi është kthyer përsëri në krye të agjendës së Bashkimit Evropian.

Ministrat e brendshëm të vendeve anëtare pritet të takohen në Bruksel për të diskutuar mbi ardhjen e mundshme masive të refugjatëve që largohen nga sundimi i talebanëve në Afganistan.

Ministrat, së bashku me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, do të përpiqen të përcaktojnë një strategji kolektive për të ndihmuar në stabilizimin e rajonit dhe për të siguruar që kufijtë e BE-së të mos mbingarkohen nga ardhja e papritur e azilkërkuesve.

Rrjeti televiziv evropian “Euronews” ka siguruar një deklaratë të ministrave, ku theksohet nevoja për të rritur mbështetjen për vendet fqinje dhe transite.

BE-ja është e vendosur të shmangë përsëritjen e krizës emigratore të vitit 2015 kur më shumë se 1 milion emigrantë mbërritën në kufijtë e jashtëm të bllokut.

Në atë kohë, afganët ishin grupi i dytë më i madh i refugjatëve, pas sirianëve.

Në deklaratë u bëhet thirrje vendeve të BE-së që të shmangin “stimujt për emigracionin ilegal”.

Termi “emigrim ilegal” kundërshtohet, për shkak të konotacioneve të tij kriminale.

Komisioni preferon të përdorë “migrimin e parregullt” për komunikimet e tij zyrtare.

Siguria është një temë tjetër që përsëritet në të gjithë tekstin.

Gjithashtu ministrat i kanë bërë thirrje Frontex, agjencisë së BE-së përgjegjëse për menaxhimin e kufirit, të bllokojë hyrjet e paautorizuara, të ndihmojë shtetet anëtare të vijës së parë dhe të kryejë kontrolle sigurie.

Takimi i jashtëzakonshëm i së martës në Bruksel zhvillohet vetëm disa orë, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfunduan operacionet e tyre të evakuimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore