Lajme

Milatoviçit i kushton mbi 20 mijë euro fluturimi nga Podogrica në Zagreb


Jakov Milatoviç

Shpenzimet e flutiurimit dhe akomodimit gjatë vizitës zyrtare të presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në Kroaci, i cili ka qëndruar në Zagreb dhe Pulë më 4 dhe 5 shtator, kapin vlerën e më shumë se 20 mijë euro, ka zbuluar “Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS)”, organizatë jo qeveritare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Malin e Zi.

Pjesën më të madhe të parave, siç thuhet në dokumentacionin e siguruar nga “MANS” përmes Ligjit për Qasje në Informacione Publike, presidenti malazez e ka shpenzuar për rezervimin e një avioni privat në linjën Podgoricë-Zagreb-Pulë-Podgoricë, ku shuma e shpenzuar vetëm për fluturim nga Podgorica në Zagreb kap vlerën e 18 mijë e 700 eurove.

Milatoviç gjatë vizitës së fundit zyrtare në Kroaci ka fluturuar me aeroplanin e kompanisë serbe “Air Emeralds” dhe jo me aeroplanin qeveritar për shkak se i njëjti nuk ka qenë i disponueshëm. Zyra e Presidentit të Malit të Zi ka njoftuar se është e mundur të përdoren fluturime komerciale për nevojat e kreut të shtetit, por kjo nuk ishte e mundur në rastin e vizitës zyrtare në Kroaci.

Gjatë qëndrimit në Zagreb, shefi i shtetit malazez ka takuar homologun e tij kroat, Zoran Milanoviç, kryekuvendarin Gordan Jandrokoviç dhe kryeministrin Andrej Plenkoviç, në funksion të  forcimit të bashkëpunimit dypalësh përshpejtimit të rrugës së Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore