Lajme

Milatoviç për pjesëmarrjen e Mandiç-it në shtabin zgjedhor të Vuçiç-it: Është mesazh i keq


Andrija Mandiç në shtabin e SNS-së

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, duke folur për pjesëmarrjen e kryetarit të Kuvendit malazez, Andrija Mandiç, tek shtabi zgjedhor i Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it – menjëherë pas pëfundimit të zgjedhjeve atje, ka thënë se beson se Mandiç, nuk kishte vend në asnjë shtab zgjedhor në Serbi dhe se ky, sipas tij, është një mesazh i keq.

“E pashë mbrëmë. Mendoj se është çështje e përgjegjësisë personale dhe profesionale të zotit Mandiç. Mendoj se kryetari i Kuvendit të Malit të Zi mbrëmë nuk ka pasur vend në selinë zgjedhore të asnjë partie në Serbi, por gjithsesi, siç thashë, është çështje e përgjegjësisë profesionale dhe personale të zotit Mandiç”, ka thënë Millatoviç, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.

Kreu malazez ka shtuar se mesazhi “sigurisht nuk ishte i mirë”.

Në fjalimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ku shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare, komunale dhe krahinore, të dielën në Beograd, në selinë qendrore “Serbia nuk duhet të ndalet”, e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, kanë marrë pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, si dhe Presidenti i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.

Ndryshe, Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën, por rezultatet preliminare të zgjedhjeve sugjerojnë se presidenti serb do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi – rezultatet preliminare sugjerojnë fitore bindëse për Partinë Progresive Serbe (SNS), megjithëse janë raportuar një numër i parregullësive gjatë procesit.

Lista e partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi rreth 47 për qind të votave apo 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, sipas sondazheve të organizatës Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), kurse koalicioni opozitar liberal “Serbia kundër dhunës”, fitoi rreth 23 për qind të votave apo 63 ulëse në legjislativin e ri të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore