Lajme

Mihajloviç deklarohet i pafajshëm për përfshirje në rastin e vrasjes së Ivanoviçit


Oliver Ivanoviç

Millan Mihajlloviç, një ndër të akuzuarit e Prokurorisë Speciale të Kosovës për katër vepra penale, përfshirë pengimin e hetimit mbi zbardhjen e vrasjes së politikanit kontravers serb, Oliver Ivanoviç, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën është deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të vitit 2023, ngriti aktakuzë kundër Mihajlloviçit për katër vepra penale, konkretisht për “pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “kanosje” dhe “falsifikim i dokumenteve”.

Burim Qerkini, prokuror i rastit në fjalë, gjatë leximit të aktakuzës deklaroi se Mihajlloviçi kërcënoi hetuesin e Inspektoriatit Policor të Kosovës (IPK) dhe kërkoi nga dëshmitari anonim B1 që të mos dëshmojë mbi vrasjen e Ivanoviçit. Gjithashtu, prokurori tha se që nga viti 2014 ai ka qenë pjesë e grupit kriminal të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviç e Millan Radoiçiç.

Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit 2018 para ndërtesës së partisë në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, ndonëse kanë kaluar pesë vjet dhe përkundër faktit se hetimet për vrasjen e politikanit serb janë duke vazhduar në Kosovë dhe Serbi, çështja ende nuk është zbardhur nga autoritetet në të dy vendet.

E për vrasjen e Ivanoviçit i cili kryesonte nismën qytetare serbe “Liria, Demokracia, Drejtësia” është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër gjyqësor ndaj 5 ish-policëve dhe një ish-zyrtareje të subjektit politik të Ivanoviçit. Ata akuzohen për përfshirje në vrasje dhe pengim të hetimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore