Lajme

Mexhiti: Puna e kryeparlamentarit e kryer, do t’i takojë “VLEN”-it


Izet Mexhiti

Izet Mexhiti, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, ka thënë se shqiptarët përsëri do të udhëheqin me pozitën e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke e konsideruar këtë si punë të kryer.

Këto komente, Mexhiti i ka bërë në një intervistë për “TV21”, në një kohë kur koalicioni “VLEN”, është duke negociuar me partinë fituese maqedonase në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO-DPMNE, për formimin e qeverisë së re.

“Mendoj që po, nuk janë mbyll bisedimet.. por jam optimist se do të mbyllet me suksese”, tha Mexhiti.

Për herë të parë shqiptarët kishin marrë drejtimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në vitin 2016. Në këtë pozitë ishte zgjedhur Talat Xhaferi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, aktualisht kryeministër i këtij shteti.

Për punën e kryeparlamentarit Kryetari i Lëvizjes Demokratike – pjesë e koalicionit “VLEN” – u shpreh i bindur se do ta kenë, mirëpo ai nuk tregoi se cilat dikastere të tjera do t’i udhëheqë ky koalicion në qeverinë e ardhshme, duke theksuar se ende nuk kanë biseduar në këtë drejtim.

“Fokusi ka qenë të parimet, te programi, te investimet, te projektet dhe tash po bisedohet”, potencoi Mexhiti.

Liderët e “VLEN”-it në Prishtinë për të marrë “bekimin” e Kurtit për koalicionin me Mickoski-n

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut, sa i përket kampit shqiptar, fitues me mbi 30 mijë vota doli “Fronti Evropian”, i cili mori 19 deputetë, apo 6 më shumë seç fitoi koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilët morën 13 ulëse në kuvend.

Ndërsa, te kampi maqedonas, fitues absolut është partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila siguroi plotë 58 ulëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga 120 sa i ka gjithsejtë, derisa LSDM-ja, partia që deri më tani kishte pushtetin mori vetëm 18 deputetë – rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ulëse në kuvendin maqedonas kanë fituar edhe dy parti të tjera maqedonase. Nga 5 sosh i kanë marrë e majta ekstrem “Levica”, dhe Lëvizja “ZNAM”.

Mirëpo, përkundër se në kampin shqiptar është fitues “Fronti Evropian”, VMRO-ja ka anashkaluar ata, duke zgjedhur koalicionin “VLEN”, me të cilët tanimë është duke biseduar për ekzekutivin e ri, që do të drejtohet nga lideri nacionalist Hristjan Micksoki.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore