Shqipëria

Meta dekreton dy marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar dy marrëveshje mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo, sa i takon procedurave doganore të mallrave dhe ndihmës juridike për çështjet civile dhe tregtare.

Fillimisht, kreu i shtetit ka ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore.

Sipas njoftimit të Presidencës, zbatimi i lehtësirave në procedurat doganore, është një masë tjetër “e vonuar” mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo e fundit, eliminon burokracinë nga të dyja anët e kufirit.

Implementimi i kësaj marrëveshjeje do të nxisë rritjen e qarkullimit të mallrave.

Ndër të tjera, pritet të lehtësojë veprimtaritë e agjencive doganore shqiptare dhe kosovare.

Ligji i dytë i dekretuar do të jetë për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

Kjo marrëveshje jo vetëm ishte domosdoshmëri, shkruan Meta, për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por do të ndihmojë në realizimin më efikas të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të qytetarëve në Shqipëri dhe Kosovë.

Në të përfshihen procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë, trashëgiminë dhe marrëdhënie të tjera civile ose tregtare.

Gjithashtu, përjashtimi nga detyrimi për legalizim të dokumenteve të autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, është një lehtësi më shumë për shtetasit shqiptarë dhe kosovarë.

Këto marrëveshje u dakordësuan pas konferencës së përbashkët mes dy qeverive më 26 nëntor të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore