Lajme

Mësuesit, thirrje për mosbraktisjen e klasave të shqipes në Bavari


Pas më shumë se një viti e gjysmë pandemi dhe vështirësive që solli në procesin e mësimdhënies dhe arsimit në përgjithësi, mësuesit e prindërit shqiptarë në Republikën e Bavarisë shprehin shqetësim për uljen e numrit të fëmijëve që mësojnë gjuhën amtare.

Prandaj, në vigjilje të nisjes së një viti të ri shkollor, ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje më të lartë.

“Të dashur nxënës, mësimdhënës, këshilla të prindërve dhe prindër, që jetoni dhe veproni në Republikën e Bavarisë, ju dëshirojmë një vit të mbarë shkollor 2021/22, në mësimin plotësues në gjuhën shqipe!”, nis njoftimi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari (LAPSH).

Misioni i tyre është “i shenjtë”, siç e cilësojnë edhe vetë “ruajtja e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë shqiptarë”.

Në njoftim, kryesia e LAPSH-it bën thirrje që së bashku “të angazhohemi në rritjen e numrit të nxënësve në shkollat shqipe në Republikën e Bavarisë. Kjo rritje e numrit të nxënësve dhe hapja e klasave të reja, jo vetëm që na nderon si komunitet shqiptar, por mbi të gjitha i ruajmë fëmijët nga asimilimi, humbja e vlerave kombëtare e ato kulturore”.

“Bashkëkombës, kudo që jeni, biznese e shoqata”, theksojnë ata në njoftim, “duhet të bëheni të gjithë së bashku në interes të shkollës shqipe, në ruajtjen e gjuhës amtare dhe të kulturës, të kësaj vlere sublime, e cila na identifikon qenien tonë kombëtare”.

Kryesia më tej, shpreh angazhimin që “çdo fëmijë shqiptar të jetë i pranishëm në shkollën shqipe”

Fatkeqësisht numri i atyre fëmijëve që duhet ta vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe është tepër i vogël, bëjnë me dije në njoftim.

Prandaj, na duhet një angazhim i madh i bashkëkombësve, prindërve, shoqatave dhe bizneseve për të pasur sukses në rritjen e numrit të nxënësve, gjithnjë në bashkëpunim me institucionet tona, konkretisht me konsullatat që veprojnë në Mynih.

Përkushtimi dhe respekti për gjuhën e atdheut (gjuha shqipe), është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e saj, te fëmijët tanë.

“E sotmja nuk na falet, nëse ne e injorojmë me apo pa qëllim të bukurën gjuhë, gjuhën shqipe!”

Viti i ri shkollor në Bavari do të fillojë në shtator dhe “për këtë kërkojmë të nderuar bashkëkombës që të mos hezitoni”, përmbyllet njoftimi i kryesisë, “por dërgojini fëmijët tuaj në shkollën shqipe, sepse përpos që është në interesin e tuaj, ruajtja e gjuhës nënë, është edhe në interes të atdheut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore