Lajme

“Mesazh i qartë për prishësit e paqes në rajon”, Vela për sanksionimin e drejtuesve të Republikës Srpska në BeH


Blerim Vela – shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ShBA-të kanë sanksionuar udhëheqjen e Republikës Srpska për “përpjekjet e tyre sistematike për të minuar Bosnjën dhe Hercegovinën”.

“Shtetet e Bashkuara sanksionojnë udhëheqjen e Republika Srpska për përpjekjet e tyre sistematike për të minuar Bosnjën dhe Hercegovinën, duke rrezikuar kështu paqen dhe stabilitetin në rajonin më të gjerë”, ka shkruar ai nw Twitter.

Sipas tij, ky është mesazh i qartë për të gjithë “prishësit në rajon që bëjnë kërkesën e Rusisë”.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Srpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995, thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së në Sarajevë.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviç dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Srpska, Millosh Bukejlloviç.

Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Vetë Dodik më herë është futur në listën e sanksioneve amerikane.

Më 5 janar të vitit 2022, SHBA-ja e akuzoi atë se drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë kishte shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

Më parë, SHBA-ja vendosi sanksione kundër Dodik më 17 korrik 2017 për pengimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore