Lajme

Meksikë/ 19 trupa të djegur pranë kufirit me SHBA-në


Autoritetet meksikane,  raportuan se kanë gjetur 19 trupa të qëlluar me armë dhe të djegur pranë  Teksasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmi ka ndodhur në një zonë që ka mosmarrëveshje të dhunshme territoriale midis grupeve të krimit të organizuar.

Zyra e prokurorit të shtetit  të Tamaulipas në Meksikë, tha të shtunën, se trupat u zbuluan përgjatë një rruge të Camargo-s, pasi banorët raportuan një automjet të djegur.

Autoritetet gjetën dy automjete të djegura. Aty ishin dhe  eshtrat e 19 viktimave bashkë me disa armë.

Të 19 viktimat ishin qëlluar, por plumbat nuk u gjetën në vend, duke bërë që hetuesit të besonin se ishin vrarë diku tjetër.

“Në njërin nga furgonët kishte dy trupa në sediljet e përparme, një trup tjetër në anën e derës së shoferit. Një tjetër  ndodhej në anën e derës së pasagjerit dhe 15 trupa në pjesën e pasme të automjetit”, ishte deklarata zyrtare e policisë.

Një zyrtar i Camargo-s, i cili kërkoi anonimitet për shkak të shqetësimeve të sigurisë, tha se vrasjet ndodhën të premten, por njerëzit kishin frikë t’i raportonin ato.

Historitë e karteleve në Meksikë

Camargo, një qytet me rreth 15  mijë njerëz, kufizohet me Teksasin dhe shtetin meksikan të Nuevo Leon-it.

Në janar të vitit 2019, në qytetin Tamaulipas u gjetën 24 kufoma, 15 prej të cilave ishin djegur.

Në gusht të vitit 2010, një grup prej 72 migrantësh të padokumentuar u vranë në San Fernando. Autoritetet thanë se masakra u krye nga karteli Zetas, një nga më të fuqishmit në atë kohë.

Tamaulipas, në bregdetin e Gjirit të Meksikës, është rruga më e shkurtër për në SHBA, por edhe më e rrezikshmja për shkak të pranisë së bandave kriminale, të cilat rrëmbejnë, zhvatin dhe vrasin migrantë

Dhuna e lidhur me kartelet e ka shqetësuar Meksikën që nga viti 2006, ku ka pasur 300 mijë vrasje./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore