Shqipëria

Mediu në OSBE: Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë strategjinë e parandalimit politik dhe ushtarak


Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të parandaluar një konflikt të mundshëm, të nxitur nga Rusia.

Mediu i cili përfaqësoi Kuvendin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, e mbajti këtë qëndrim gjatë Sesionit Vjetor të Organizatës në Bukuresht.

Të mbledhur për të diskutuar rolin e OSBE-së në arkitekturën aktuale të sigurisë, shqetësimi kryesor i Asamblesë Parlamentare ishte lufta në Ukrainë dhe ndikimi në sigurinë e Evropës. Duke theksuar se Rusia ka 16 vjet që po sulmon vendet e tjera, që prej konfliktit me Gjeorgjinë, më pas Krimea dhe tani Ukraina, Mediu vuri në dukje qëndrimin e Shqipërisë pro Ukrainës.

Po ashtu Kongresmeni Joe Wilson, Kryetari i Komitetit Helsinkit në Kongresin Amerikan në mbështetje të qëndrimit të Mediut kërkoi më shumë vëmendje për Ballkanin.

Me qartësinë se agresioni i Rusisë nuk është i përqendruar vetëm në Ukrainë, Mediu ngriti shqetësimin e veprimit të Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan përmes luftës hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit.

“Situata në Moldavi provon se qëllimi i Rusisë nuk është vetëm Ukraina. Vendet e Ballkanit, janë fortësisht të ndikuara nga lufta hibride nga Rusia, Kina, Irani, që përpiqen të ushqejnë konflikte të reja dhe të fjetura. Situata në Bosnjë Hercegovinë situata në Mal të Zi, situata në Veriun e Kosovës kërkon më shumë vëmendje dhe pjesëmarrje të OSBE dhe të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”, u shpreh Mediu.

“Në mënyrë që të ndalojmë çdo konflikt të mundshëm në Ballkan, unë besoj se është koha që vendet e NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të ndërtuar strategjinë e parandalimit politik dhe ushtarak”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore