Lajme

Më shumë se 20 emigrantë të vrarë në enklavën spanjolle, grupet e të drejtave thirrje për hetim


Grupet e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për hetime ndaj qeverisë, pasi më shumë se 20 persona humbën jetën, teksa rreth 2 mijë emigrantë u përpoqën të shkelin gardhin rrethues që ndan Marokun nga enklava spanjolle e Melilla-s.

Emigrantët, kryesisht nga Afrika Sub-Sahariane, u përpoqën të ngjisnin një gardh me tela me gjemba të premten, duke çuar në përleshje të dhunshme me policinë marokene dhe forcat spanjolle të sigurisë rreth perimetrit të territorit në bregdetin e Afrikës Veriore.

Sipas Shoqatës Marokene për të Drejtat e Njeriut (AMDH), numrin i të vdekurve ishte 29, duke cituar zyrtarë mjekësorë lokalë.

Po ashtu e cilësoi gjithçka ndodhi si një “rrëmujë”, me disa të shtypur dhe të tjerë duke rënë nga maja e gardhit – 23 emigrantë të vdekur dhe të tjerëve të plagosur.

Vdekjet shënojnë incidentin më të rëndë në Melilla, ndërsa së bashku me Ceuta, një tjetër enklavë spanjolle në Bregdetin e Marokut, kanë tërhequr mijëra emigrantë afrikanë që përpiqen të hyjnë në Evropë gjatë dekadës së fundit.

Nga ana tjetër, Policia spanjolle vlerëson se, vitin e kaluar më shumë se 13 mijë emigrantë kaluan Mesdheun nga Maroku në Spanjë.

Më shumë se 140 oficerë policie kryesisht marokenë u plagosën gjithashtu, pesë prej të cilëve rëndë, në përleshjen dyorëshe midis emigrantëve kryesisht të rinj meshkuj, disa të armatosur me shkopinj dhe gurë, dhe forcave të sigurisë me mjete që hodhën gaz lotsjellës mbi turmën.

Në pamjet video, për të cilat AMDH tha se ishin xhiruar nga anëtarët dhe simpatizantët, shfaqeshin dhjetëra emigrantë të shtrirë në tokë pranë gardhit kufitar me forcat marokene të sigurisë që qëndronin mbi ta.

Shumë prej tyre dukeshin të plagosur dhe disa ishin pa shenja jete.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, fajësoi “mafiet që trafikojnë qenie njerëzore” për atë që ai e quajti “një sulm të dhunshëm dhe të organizuar” në enklavën spanjolle.

Ai deklaroi se policia spanjolle dhe marokene kishin bashkëpunuar në “zmbrapsjen e këtij sulmi të dhunshëm”.

Esteban Beltrán, kreu i Amnesty International në Spanjë, u bëri thirrje autoriteteve spanjolle dhe marokene që “të hetojnë menjëherë shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut” që ndodhën “në të dy anët e kufirit”.

Ai tha se Amnesty kishte parë imazhe që tregonin oficerët marokenë të sigurisë duke përdorur “forcë të tepruar kundër migrantëve dhe refugjatëve”, duke thënë se ata përdornin “shkopinj për të rrahur njerëzit që tashmë ishin plotësisht nën kontrollin e tyre dhe që nuk bënë asnjë rezistencë”.

Beltrán akuzoi gjithashtu autoritetet spanjolle për dëbimin me forcë të emigrantëve nga Melilla, praktikë e cila ishte e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar, sepse pengonte refugjatët e mundshëm të bënin kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare.

Ai tha se shumica e emigrantëve, që përpiqeshin të hynin në enklavën spanjolle, po ikin nga konflikti në Sudanin e Jugut dhe duhet të trajtohen si refugjatë lufte.

“Është thelbësore të krijohet një rrugë ligjore dhe e sigurt për njerëzit që të kërkojnë azil”, u tha ai gazetarëve.

Organizatat e të drejtave të njeriut në Marok kanë kërkuar gjithashtu një hetim.

Maroku me raste ka mbyllur një sy ndaj migrantëve, që përpiqen të sulmojnë gardhet kufitare në Ceuta dhe Melilla, si një mënyrë për të ushtruar presion mbi Spanjën lidhur me qëndrimin e saj në territorin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore.

Përpjekja masive e së premtes për të hyrë në Melilla ishte e para që kur Spanja u zhvendos për të ndrequr marrëdhëniet e prishura diplomatike me Marokun, duke njoftuar muajin e kaluar se mbështeti planin e Rabatit për t’i ofruar autonomi Saharasë Perëndimore nën sovranitetin maroken.

OKB-ja është përpjekur dhe ka dështuar që nga vitet 1990 për të organizuar një referendum për të përcaktuar nëse Sahara Perëndimore duhet të bëhet e pavarur apo pjesë e Marokut.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore