Lajme

Më shumë se 1 milion francezë protestuan kundër reformës së pensioneve


Autoritetet franceze thanë se rreth 1 milion e 120 mijë njerëz, përfshirë 80 mijë në Paris, dolën për të protestuar kundër reformës së pensioneve në të gjithë vendin.

Kështu raporton gazeta vendase “Le Figaro”.

Shifrat janë shumë më të larta se sa kishin vlerësuar autoritetet, të cilat prisnin 600 mijë deri në 800 mijë demonstrues.

Sipas vlerësimeve të sindikatës, më shumë se 2 milionë njerëz demonstruan në Francë dhe rreth 400 mijë në Paris.

Në vitin 2019, gjatë reformës së mëparshme të pensioneve, sindikatat vlerësuan numrin e pjesëmarrësve në ditën e parë të mobilizimit në 1.5 milionë njerëz.

Zyra e Brendshme në atë kohë pretendoi pak më shumë se 800 mijë pjesëmarrës.

Grevës i janë bashkuar punëtorët e hekurudhave dhe energjetikës, mësuesit dhe edukatorët e kopshteve, studentët dhe madje edhe sindikata e policisë.

Operatori hekurudhor SNCF raportoi se shumica e shërbimeve të trenave në distanca të gjata u anuluan; rreth 20 për qind e fluturimeve nga aeroporti i Parisit “Orly” u anuluan.

Reforma e propozuar parashikon rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Qeveria këmbëngul se kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit aktual në funksion të një popullsie në plakje dhe një rritje të jetëgjatësisë.

Sindikatat janë të indinjuar që kjo minon të drejtat ligjore të punëtorëve dhe po propozojnë një taksë shtesë mbi pasurinë ose rritje të kontributeve nga punëdhënësit për financimin e pensioneve në vend të rritjes së moshës së daljes në pension.

Sondazhet tregojnë se shumica e francezëve janë të pakënaqur me rritjen e moshës së daljes në pension.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore